Reforma zgjedhore nis pa konsensus/ Logu: Rama dikton procesin, PD kërkon ndarjen e shtetit nga partia

17:16, 09/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype në edicionin e pasdites në Syri TV, sekretari i Çështjeve Zgjedhore në PD, Marash Logu, ka akuzuar mazhorancën se po tenton ta kthejë Reformën Zgjedhore në një proces të njëanshëm, të diktuar nga vullneti i Edi Ramës.

Logu u shpreh se Komisioni i Posaçëm duhet të funksionojë mbi bazën e barazisë mes palëve dhe se prioritet i punës së tij duhet të jetë zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.

Ai kundërshtoi përfshirjen e çështjeve të Reformës Administrativo-Territoriale në punën e komisionit, duke theksuar se mandati i tij lidhet posaçërisht me reformën zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve ndërkombëtare.

Në përfundim, Logu theksoi se kërkesa kryesore e përfaqësuesve të opozitës është e qartë: ndarja e shtetit nga partia.

Pjesë nga intervista:

Sigurisht, ka një përpjekje që produkti që do të dalë nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të jetë i njëjtë me atë që do të vijë nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, pra një proces i njëanshëm, i cili është vetëm produkt i vullnetit të Edi Ramës dhe mazhorancës së tij.

Megjithatë, sa i përket Reformës Zgjedhore, sigurisht që ka edhe një përfshirje të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat do të jenë, në fakt, prioriteti i punës së këtij Komisioni të Posaçëm. Pikërisht rekomandimet e OSBE-ODIHR-it do të jenë prioritetet e punës së këtij komisioni, pavarësisht pikave të Edi Ramës dhe Taulantit.

Ajo që pamë sot shkon në drejtim të kundërt me arsyen pse është ngritur vetë ky Komision i Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Së pari, komisionet e kësaj natyre, pra Komisioni i Reformës Zgjedhore, funksionojnë mbi parimin e palëve, që do të thotë se të dyja palët janë në numër të barabartë në komision.

Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh që Komisioni për Reformën Zgjedhore ka marrë një mandat shumëvjeçar nga Kuvendi i Shqipërisë, në të cilin nuk parashikohet në asnjë pikë që ai të trajtojë çështje të reformës territoriale apo të ndryshimit të ndarjes vendore.

Mandati i këtij komisioni lidhet posaçërisht me adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.

Kërkesat që kanë bërë përfaqësuesit tanë në komision janë shumë të qarta: ndarja e shtetit nga partia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco