Aron Orban, vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, është arrestuar nga policia. Lajmi është bërë publik nga kryeministri Peter Magyar, ndërsa operacioni është zhvilluar në disa ambiente në Budapest dhe në qarkun Pest.
Sipas autoriteteve, arrestimi lidhet me dy procedime penale që po hetohen paralelisht. Një prej pistave të hetimit ka të bëjë me një skemë të dyshuar për sigurimin e lejeve të qëndrimit për qëllime punësimi, ku persona të përfshirë dyshohet se u premtonin biznesmenëve lehtësimin e procedurave përmes lidhjeve me zyrtarë me ndikim.
Prokuroria Qendrore e Hetimeve bën me dije se dy të dyshuar kishin marrë paraprakisht 17 mijë euro nga një biznesmen, shumë që dyshohet se ishte ndarë mes tyre. Në total, katër persona janë marrë në pyetje si të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe vepra të tjera penale. Dy prej tyre janë lënë në arrest me vendim gjykate.
Pas publikimit të lajmit, Viktor Orban, kreu i opozitës dhe i partisë Fidesz, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke pretenduar se objektivi i vërtetë i operacionit është ai personalisht dhe se vëllai i tij po përdoret për të arritur këtë qëllim.
“Unë jam objektivi, vëllai im është vetëm një mjet për të arritur qëllimin”, shkruan Orban.
Ai e cilësoi operacionin si një përpjekje për hakmarrje politike dhe eliminimin e kundërshtarëve, duke akuzuar autoritetet se po përdoren për të goditur opozitën.



