Një incident sigurie ka shkaktuar alarm në zemër të Uashingtonit, pranë Shtëpisë së Bardhë, pasi një automjet është përplasur me barrierat mbrojtëse të godinës.
Ngjarja ndodhi pak minuta para orës 16:00 me orën tonë. Sipas raportimeve, drejtuesi i automjetit, i dyshuar si i armatosur, u arrestua menjëherë nga autoritetet. Pak më vonë, në lidhje me incidentin u arrestua edhe një person i dytë.
Pas marrjes së informacionit se personi mund të ishte i armatosur, forcat e sigurisë ndërhynë menjëherë dhe ngritën një kordon sigurie në zonë.
Si masë paraprake, Shtëpia e Bardhë u mbyll, ndërsa gazetarëve që ndodheshin jashtë iu kërkua të futeshin brenda ndërtesës.
Autoritetet vijuan mobilizimin, ndërsa niveli i alarmit u zgjerua edhe për shkak të pranisë së zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, i cili në atë moment po mbante një fjalim në ndërtesën e JPMorgan, në një distancë të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë.
Deri në këto momente, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi motivet e incidentit apo nëse ka persona të lënduar.










