Mbi 971 ndërveprime me qytetarët janë regjistruar deri më tani në platformën “Fol me Kryeministrin”. Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, qytetarët nga Shqipëria dhe diaspora kanë përcjellë pyetje, shqetësime, kritika, denoncime dhe propozime për qeverinë.
Të dhënat e publikuara nga MIA tregojnë se denoncimet dhe propozimet për politika zënë secila nga 17% të ndërveprimeve. Më pas renditen infrastruktura dhe legalizimet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), me nga 12%, ndërsa kritikat përbëjnë 10%.
Për çështjet e punësimit dhe strehimit janë regjistruar nga 6% e komunikimeve, ndërsa pensionet dhe ndihma sociale zënë 4%. Diaspora përfaqëson 3% të ndërveprimeve.

Në kategoritë e tjera, arsimi dhe studentët, biznesi dhe taksat, si dhe shëndetësia kanë nga 2%. Shërbimet publike përbëjnë 1%, ndërsa temat e tjera zënë 6%.
Platforma “Fol me Kryeministrin” është e hapur 24 orë dhe u mundëson qytetarëve të komunikojnë drejtpërdrejt me Kryeministrin dhe qeverinë, duke ndarë mendimet dhe shqetësimet e tyre.
Kur prezantoi nismën, kryeministri Edi Rama deklaroi se teknologjia krijon një mundësi të re për komunikim të drejtpërdrejtë dhe shkëmbim informacioni e opinionesh, përmes një skuadre të dedikuar që do të ndjekë ndërveprimet në platformë.

