Franca rrit pagën minimale, mbi 1,500 euro nga 1 dhjetori mes protestave për koston e jetesës

09/11/2026 18:18

Qeveria franceze ka njoftuar një rritje prej 1.6% të pagës minimale, e cila do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor, pas disa javësh protestash për fuqinë blerëse dhe kushtet ekonomike të të rinjve.

Me këtë rritje, paga minimale në Francë do të kalojë nivelin e 1,500 eurove neto, duke arritur në rreth 1,502 euro. Bëhet fjalë për një shtesë prej 23.65 eurosh në muaj.

“Lidhur me pagën minimale (SMIC), kemi vendosur dy gjëra, ta aplikojmë më 1 dhjetor rritjen automatike, e cila ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 janar dhe që kjo rritje të jetë 1.6%”, deklaroi ministri i Punës, Jean-Pierre Farandou, gjatë një konference për shtyp.

Aktualisht, paga minimale në Francë është 1,477.93 euro. Kryeministri Sébastien Lecornu e cilësoi këtë si rritjen e dytë më të madhe në 20 vitet e fundit, duke theksuar se ajo nuk duhet nënvlerësuar.

Sipas tij, masa është hartuar në mënyrë të tillë që të mos shkaktojë humbje të vendeve të punës. Deklarata u bë pas një takimi me përfaqësuesit e sindikatave dhe federatave të punëdhënësve.

Nga ana tjetër, ministri Farandou e cilësoi rritjen si një ndihmë për punonjësit, por edhe si një nxitje për sektorët e ndryshëm që të nisin negociatat për përmirësimin e pagave.

Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të sektorëve profesionalë që të nisin diskutimet që javën e ardhshme, me qëllim rritjen e pagave minimale të përcaktuara në marrëveshjet kolektive dhe përshtatjen e tyre me nivelin e ri të SMIC.

Megjithatë, vendimi i qeverisë nuk ka bindur sindikatat. Kryetarja e CFDT-së, Marilise Léon, e konsideroi rritjen të pamjaftueshme, ndërsa drejtuesja e CGT-së, Sophie Binet, e cilësoi atë si “thërrime”.

“Ne nuk erdhëm këtu për të lypur lëmoshë”, deklaroi Binet, e cila bëri gjithashtu thirrje për organizimin e protestave të reja më 17 nëntor.

Franca renditet ndër vendet me pagën minimale më të lartë në Evropë. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 paga minimale përfaqësonte 67% të të ardhurave mesatare në vend. Rreth 12.7% e punonjësve francezë paguhen me pagën minimale ose me një shumë pranë saj, krahasuar me 8% në Gjermani dhe 3.5% në Holandë.

Në Francë, paga minimale rritet zakonisht automatikisht në muajin janar, në përputhje me inflacionin, ndërsa në raste të caktuara mund të ketë edhe rritje të ndërmjetme gjatë vitit. Këto ndryshime kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kostot e punës dhe përbëjnë një çështje të ndjeshme në debatin politik.

Qeveria po përpiqet të zbusë pakënaqësinë e qytetarëve, në një kohë kur hapësira e saj për ndërhyrje ekonomike është e kufizuar për shkak të borxhit publik në rritje.

Protestat nisën në shkollat e mesme gjatë muajit shtator, por më pas u zgjeruan, duke reflektuar pakënaqësinë për rritjen e kostos së jetesës, cilësinë e shërbimeve publike dhe ngërçin politik në vend.

Situata vjen pesë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale. Sondazhet e opinionit sugjerojnë se kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, mund të përballet në raundin e dytë me përfaqësuesin e së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon.

Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron, i cili po i afrohet fundit të mandatit të tij të dytë dhe ka regjistruar nivele historikisht të ulëta të mbështetjes në sondazhe, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë.

Top Channel