Në një operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, policia keniane sekuestroi 454 kilogramë metamfetaminë. Vlera e lëndës narkotike përllogaritet në rreth 27 milionë dollarë (24 milionë euro).
Aksioni u zhvillua në brigjet e Kenias, mbi bazën e informacioneve të inteligjencës të siguruara nga autoritetet keniane dhe ato të Tanzanisë. Tre persona u arrestuan: dy shtetas nga Tanzania dhe një nga Uganda.
Të lidhura
None found
Policia bëri të ditur se hetimi kishte nisur javën e kaluar, pas arrestimit të një të dyshuari në Tanzani. Ai iu dorëzua më pas autoriteteve keniane në kufi dhe dyshohet të ketë lidhje edhe me një operacion të mëparshëm në Tanzani, ku ishin sekuestruar 299 kilogramë metamfetaminë dhe heroinë.
Të dhënat e marra prej tij i çuan hetuesit te vendi ku ishte fshehur droga. Nga marrja në pyetje e personave të arrestuar, autoritetet mësuan se lënda narkotike kishte hyrë në Kenia përmes portit të Mombasës.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se disa nga të dyshuarit bënin pjesë në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, aktiv në disa vende të Afrikës dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sekuestrimi cilësohet ndër më të mëdhenjtë në historinë e Kenias. Muajin e kaluar, Marina Keniane kishte identifikuar pranë brigjeve të vendit, në Oqeanin Indian, një anije që transportonte rreth një ton lëndë narkotike.
Metamfetamina është një lëndë sintetike që krijon varësi të fortë. Përdorimi i saj mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin, përfshirë psikozën, atakun në zemër dhe goditjen në tru.








