Para ca javësh u krye një sondazh rigoroz në territorin e Tiranës urbane, me intervista ballë për ballë ndaj qytetarëve të rastësishëm në 11 ish-minibashkitë origjinale të kryeqytetit. Nga 71 pyetjet e pyetësorit, disa iu përkisnin situatës ekonomike të familjeve të të intervistuarve.
Sipas përgjigjeve, 84.3% e të anketuarve banonin në shtëpitë e veta, ndërsa 15.7% paguanin qira; ndër votuesit socialistë, raporti ishte 90.7% të zotëruesve të banesës dhe 9.3% qiramarrës. Pyetjes “Sa janë afërsisht të ardhurat mujore të familjes tuaj në lekë të vjetra – pa përfshirë dërgesat që ju vijnë nga jashtë vendit?”, pothuaj gjysma u përgjigjën se të ardhurat familjare ishin në intervalin 250 mijë deri në 999 mijë lekë të vjetra në muaj. Mesatarja për këto familje ishte 3 pjesëtarë, me rreth 210 mijë lekë të vjetra në muaj për secilin.
Përballimi i shpenzimeve mujore rezultoi problem për shumicën: 73% thanë se e përballojnë “me vështirësi” ose “me shumë vështirësi”; ndër votuesit socialistë ky përqindje ishte 58%. Sa i përket ndihmave familjare nga jashtë, 45% deklaruan se marrin dërgesa valutore nga të afërm në emigracion. Gjithashtu, 66% e familjeve urbane të Tiranës thanë se kanë mesatarisht 2.1 pjesëtarë në emigracion, pa përfshirë daja, xhaja, teze, halla apo kushërinj të tjerë.
Rreth pushimeve verore, 49% e të anketuarve deklaruan se kishin shkuar me pushime këtë vit; 33% thanë se nuk kishin shkuar dot për shkak të pamundësisë financiare, ndërsa 18% nuk kishin shkuar për arsye të tjera.
Shënim: Nga sondazhet që u kryen me pjesëmarrës të zgjedhjeve të fundit kongresuale në SHBA, rezultoi se vështirësia në përballimin e kostos së jetesës ishte faktori kryesor që shkaktoi humbjen gjigande të partisë së Presidentit Trump.
