Një ndërhyrje e pazakontë është realizuar nga ekipi i kirurgjisë së Otorinolaringologjisë në Shqipëri, ku mjekët kanë hequr nga hunda e një pacienti 71-vjeçar një masë tumorale me peshë 3.1 kilogramë dhe gjatësi rreth 50 centimetra.
Kirurgu ORL, Tedi Minarolli, ka bërë të ditur se ndërhyrja nuk paraqiste vështirësi të jashtëzakonshme nga ana teknike, por përmasat e tumorit ishin të pazakonta.
“Sa i përket nivelit të vështirësisë, ishte mesatare, por për nga madhësia ishte e padëgjuar. 3.1 kilogramë dhe 50 centimetra në hundë”, ka deklaruar Minarolli.
Pacienti, i cili ishte i burgosur, sipas mjekëve mund të ketë refuzuar më herët trajtimin shëndetësor, duke lejuar që masa të rritej deri në këto përmasa. Kirurgu ka treguar se fillimisht kishte vështirësi ta besonte fotografinë e rastit që i ishte dërguar përpara se 71-vjeçari të referohej për trajtim.
Shefja e shërbimit të ORL-së, Birkena Qirjazi, ka ngritur shqetësimin për numrin në rritje të pacientëve që paraqiten për ndihmë mjekësore në faza të avancuara të sëmundjes, kur gjendja e tyre është komplikuar ndjeshëm. Megjithatë, ajo ka shprehur besimin te puna dhe rezultatet e mjekëve të rinj.
Ndërhyrja u realizua me sukses nga ekipi i ORL-së, nën drejtimin e Birkena Qirjazit dhe Tedi Minarollit, me pjesëmarrjen e Kristi Tatës dhe Arli Kokomanit, si dhe me mbështetjen e ekipit të reanimacionit dhe mjekëve të rinj, raporton TCH.

