Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 52-vjeçarin Bledar Bakaj, i dyshuar për plagosjen e rëndë me dashje të 67-vjeçarit Enver Grëmi. Gjykata ka vendosur që Bakaj të qëndrojë në burg deri më 17 dhjetor 2026, në kuadër të masës së sigurisë së caktuar. Vendimi është marrë këtë të hënë nga gjyqtarja Bora Shaholli. Ngjarja u regjistrua në fshatin Suk të Roskovecit ku 52-vjeçari dyshohet se tentoi të merrte me sërish me forcë vajzën 34-vjeçare të familjes Grëmi. Përballja me 67-vjeçarin çoi në plagosjen e këtij të fundi. Grëmi u godit me një mjet prerës, në këmbë. Sipas dëshmive të më hershme të 67-vjeçarit gjithçka kishte nisur disa muaj më parë, kur Bledar Bakaj i ishte afruar familjes me premtimin se do ta ndihmonte për të gjetur një vend pune për vajzën e tyre, e cila vuante nga anemia dhe kishte probleme shëndetësore. Më 26 maj, babë e bijë shkuan në Spitalin Rajonal të Fierit për një vizitë mjekësore. Sipas pretendimeve të 67-vjeçarit, pas daljes nga spitali, Bakaj e mori vajzën, duke i thënë të atit se do ta dërgonin me ambulancë drejt Tiranës. Për 45 ditë, familja nuk pati asnjë kontakt me 34-vjeçaren. Pas rikthimit në banesë, vajza u ka treguar prindërve se ishte mbajtur kundër dëshirës së saj dhe ishte dhunuar seksualisht. Më pas ajo kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje në polici. Sipas dëshmisë së babait, 52-vjeçari është rikthyer në banesën e tyre në Suk, duke tentuar ta marrë sërish vajzën. Kundërshtimi nga ana e tij solli përplasjen mes tyre. Ndërkohë, Prokuroria e Fierit po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.