Nga Irena Beqiri - 18:41, 09/11/2026
Pilula kontraceptive ishte një nga risitë më transformuese të shekullit XX. Ajo nuk ishte thjesht një arritje shkencore, por një revolucion social dhe kulturor që ndryshoi marrëdhëniet në shoqëri. Për herë të parë, miliona gra fituan kontroll mbi trupin, familjen, të ardhmen dhe zgjedhjet e tyre. Në thelb, pilula u dha grave një liri që deri atëherë ishte e kufizuar nga rrethana biologjike, shoqërore dhe ekonomike.
Por historia e saj na mëson diçka që shkon përtej shkencës dhe emancipimit të grave. Ajo na tregon se ndryshimet e mëdha fillojnë nga njerëz që kanë guximin të vënë në pikëpyetje rregullat, të sfidojnë interesat e konsoliduara dhe të bashkojnë forca që deri atëherë nuk kishin arsye të bashkëpunonin.
Margaret Sanger e kuptoi se një ide transformuese nuk mund të realizohej pa ndërtuar një koalicion. Ajo bashkoi shkencëtarë, mjekë, financues dhe aktivistë socialë, njerëz me interesa, formime dhe motivime të ndryshme, por që mund të bashkoheshin rreth një objektivi të përbashkët.
Ajo nuk priti që sistemi shoqëror ekzistues të bindej për nevojën e ndryshimit; përkundrazi, ajo ndihmoi në krijimin e një force të re që mund ta bënte atë të mundur.
Në Shqipëri, po ashtu, kemi qytetarë, studentë, profesionistë dhe grupe të ndryshme shoqërore që protestojnë, që shprehin pakënaqësi dhe që kërkojnë një realitet tjetër politik, ekonomik dhe institucional. Kemi një shoqëri që, në segmente të rëndësishme të saj, nuk ndihet më e përfaqësuar.
Kemi gjithashtu një pushtet që, në vend që të reflektojë mbi shkaqet e kësaj pakënaqësie, duket më shumë i interesuar të ruajë funksionimin e sistemit që e mban në këmbë.
Por, nëse heshtja e socialistëve mund të shpjegohet me interesin për të ruajtur status quo-në, sikurse Kisha Katolike nuk mund të organizonte fushatën për pilulën kontraceptive, pyetja më e vështirë është: çfarë e pengon frontin opozitar të ndërtojë një alternativë të përbashkët?
Ndryshimi për të cilin ka rëndësi vendi nuk është thjesht një garë për zëvendësimin e qeverisë. Secila parti ka ambiciet, llogaritë, interesat dhe vizionin e vet për udhëheqjen e së ardhmes. Por një lëvizje politike transformuese nuk mund të ndërtohet vetëm mbi kundërshtimin ndaj qeverisë dhe as mbi marrëveshjet për ndarjen e pushtetit të ardhshëm.
Të jesh kundër qeverisë nuk do të thotë automatikisht të jesh alternativë. Një alternativë e vërtetë kërkon diçka shumë më të madhe; kërkon një koalicion shoqëror që kapërcen kufijtë partiakë dhe që përfshin qytetarë, të rinj, sipërmarrës, profesionistë, intelektualë dhe të gjithë ata që kanë interes për një model tjetër zhvillimi dhe qeverisjeje.
Ky koalicion nuk ka nevojë që të gjithë të mendojnë njësoj. Nuk ka nevojë as që të gjithë të kenë të njëjtin formim ideologjik apo të njëjtat ambicie politike. Ajo që kërkohet është një marrëveshje mbi parime themelore, si shteti i së drejtës, institucione të pavarura, konkurrencë e ndershme, administratë profesionale, ekonomi gjithëpërfshirëse dhe një politikë që nuk e trajton shtetin si pronë të fituesit të zgjedhjeve.
Në këtë kuptim, bashkimi opozitar nuk duhet të jetë një pazar për ndarjen e posteve, por një marrëveshje për ndryshimin e rregullave të lojës.
Problemi ynë sot nuk është vetëm se kush qeveris. Problemi ynë është edhe mënyra se si është ndërtuar dhe si funksionon pushteti. Nëse nesër ndryshojnë emrat në zyrat qeveritare, por mbeten të paprekura marrëdhëniet mes politikës, institucioneve, ekonomisë dhe interesave private, atëherë nuk kemi bërë një ndryshim sistemik; kemi bërë thjesht një rotacion pushteti.
Protestat janë të rëndësishme, sepse e bëjnë të dukshme pakënaqësinë. Por pakënaqësia, sado e madhe të jetë, nuk prodhon vetvetiu ndryshim politik. Ajo ka nevojë për organizim, ide, njerëz, lidership dhe një projekt që u jep qytetarëve arsye për të besuar se ekziston një e ardhme tjetër.
Prandaj, pyetja që pret përgjigje nuk është kush do të jetë kryeministër, por a kemi një koalicion shoqëror që mund të kapërcejë ndarjet partiake? A kemi njerëz të gatshëm të vënë në dispozicion dijen, reputacionin dhe energjinë e tyre për një projekt të përbashkët? A kemi një front opozitar që është i gatshëm të heqë dorë nga një pjesë e ambicieve të veta për t'i dhënë përparësi një objektivi më të madh? Dhe, mbi të gjitha, a kemi një marrëveshje për shtetin që duam të ndërtojmë?
Historia e pilulës kontraceptive na kujton se një ndryshim i madh nuk realizohet vetëm sepse shoqëria e dëshiron atë. Ai realizohet kur njerëzit që e dëshirojnë kuptojnë se duhet të bashkohen për ta bërë të mundur.
Për të ndërtuar diçka të re, nuk mjafton të jesh kundër të vjetrës. Duhet të kesh vizionin për të imagjinuar të renë, guximin për të sfiduar interesat që e pengojnë dhe pjekurinë për t'u bashkuar me njerëz që nuk mendojnë si ti.
Ndryshimi nuk fillon ditën kur merret pushteti; ndryshimi fillon ditën kur njerëzit vendosin të ndërtojnë një alternativë që nuk ka më nevojë të riprodhojë sistemin e vjetër.
© SYRI.net