Tragjedi në Turqi, shpërthimi në fabrikën e çelikut u merr jetën 10 punëtorëve, 15 të plagosur
Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë hekuri dhe çeliku në Turqinë perëndimore ka shkaktuar një tragjedi, duke lënë 10 punëtorë të vdekur dhe 15 të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në uzinën “Habas Demir Çelik”, pranë qytetit të Izmirit. Sipas autoriteteve, katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për persona që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Shpërthimi shkaktoi flakë të fuqishme dhe një re të madhe tymi të zi, që u përhap në një pjesë të impiantit industrial. Dëshmitarët kanë treguar se fuqia e goditjes ishte aq e madhe sa fillimisht menduan se bëhej fjalë për një tërmet.
“U duk sikur toka po lëvizte poshtë këmbëve tona”, rrëfeu një dëshmitar, duke përshkruar momentet e panikut pas shpërthimit.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga mediat turke, dyshohet se një vinç i madh është shembur mbi një furrë industriale ku përpunohej çeliku i lëngshëm.
Ekipet e emergjencës po punojnë për largimin e strukturave të shembura dhe verifikimin nëse ka ende punëtorë të bllokuar.
Ndërkohë, autoritetet turke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit dhe për të sqaruar nëse në fabrikë janë respektuar rregullat e sigurisë në punë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



