Tragjedi në fabrikën e çelikut në Izmir, shkon në 10 numri i viktimave nga shpërthimi

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.11.2026, 18:49

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë çeliku në Izmir të Turqisë. Bilanci tragjik mund të rëndohet më tej, pasi ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për punëtorët që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së sotme në uzinën e kompanisë HABAŞ, në zonën e Bozkjos. Pas shpërthimit, në fabrikë ka rënë zjarr dhe një re e dendur tymi është ngritur mbi ambientet industriale. Në vendngjarje janë angazhuar zjarrfikës, forca policie, ambulanca dhe ekipe të specializuara të kërkim-shpëtimit.

Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ndodhur gjatë procesit të derdhjes së çelikut të shkrirë. Një vinç i montuar në tavan është shkëputur dhe ka rënë brenda furrës me hark elektrik, duke shkaktuar shpërthimin.

Autoritetet bëjnë me dije se tetë punëtorë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, ndërsa operacionet për gjetjen e tyre vijojnë intensivisht. Të plagosurit janë transportuar në spitalet e zonës, ndërsa njëri prej tyre është dërguar me helikopter drejt spitalit të qytetit në Izmir.

Ngjarja ka vënë në lëvizje edhe autoritetet më të larta turke. Presidenti Recep Tayyip Erdogan është informuar për situatën nga ministrat e Brendshëm dhe të Energjisë, të cilët janë nisur drejt Izmirit.

Ndërkohë, Ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Vedat Ishikhan, ka njoftuar se Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka caktuar një kryeinspektor për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Edhe Ministria e Drejtësisë ka nisur hetimet, duke angazhuar katër prokurorë nga zyra e prokurorisë së Menemenit.

Autoritetet turke u kanë shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe kanë garantuar se hetimet do të vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë tragjedi në vendin e punës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit