Arrat dhe farat janë ndër burimet më të mira bimore të acideve yndyrore Omega-3, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e zemrës, trurit dhe në reduktimin e inflamacionit. Edhe pse peshku njihet si një nga burimet kryesore të Omega-3, disa ushqime bimore përmbajnë sasi të konsiderueshme të këtyre yndyrave të shëndetshme. Sipas dietologëve, shtimi i arrave dhe farave në ushqimin e përditshëm mund të jetë veçanërisht i dobishëm për personat që ndjekin një dietë vegjetariane ose vegane. Duhet të dimë se ekzistojnë disa lloje Omega-3: EPA dhe DHA, që gjenden kryesisht te peshku dhe produktet e detit, si dhe ALA, që gjendet në ushqimet bimore. Ja shtatë burimet bimore që ia vlen të përfshini në dietën tuaj.

1. Farat chia

Farat chia janë ndër burimet më të pasura bimore me Omega-3. Një porcion prej 28 gramësh (rreth dy lugë gjelle) përmban afërsisht 5.06 gramë ALA. Ato janë gjithashtu të pasura me fibra, proteina, kalcium dhe magnez. Konsumimi i tyre mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit dhe mbështetjen e shëndetit të zemrës. Mund t’i shtoni në kos, tërshërë, smoothie ose puding.

2. Farat e lirit

Farat e lirit janë një tjetër burim shumë i mirë i Omega-3. Një porcion prej 28 gramësh përmban rreth 6.48 gramë ALA. Ato përmbajnë gjithashtu fibra dhe lignane, përbërës bimorë me veti antioksiduese. Konsumimi i rregullt mund të ndihmojë në përmirësimin e niveleve të kolesterolit dhe në mbështetjen e tensionit të shëndetshëm të gjakut. Rekomandohet të konsumohen të bluara, pasi kështu organizmi mund t’i përthithë më lehtë lëndët ushqyese.

3. Arrat
 
Arrat janë një nga burimet më të njohura bimore të Omega-3. Një grusht prej 28 gramësh përmban rreth 2.58 gramë ALA. Ato ndihmojnë në plotësimin e nevojave ditore për yndyra të shëndetshme dhe mund të konsumohen veçmas, në sallata ose në smoothie.

Ad

4. Farat e kërpit
 
Rreth 28 gramë fara kërpi përmbajnë afërsisht 2.6 gramë ALA. Përveç Omega-3, ato janë të pasura me proteina dhe përmbajnë të gjitha 10 aminoacidet esenciale. Për këtë arsye, janë një zgjedhje e mirë për personat që nuk konsumojnë produkte shtazore.

5. Farat e kungullit
 
Farat e kungullit përmbajnë yndyra të shëndetshme dhe minerale të rëndësishme, si magnezi dhe zinku. Këto lëndë ushqyese ndihmojnë në funksionimin normal të sistemit imunitar dhe mbështesin shëndetin e zemrës. Ato mund të konsumohen si mesvakt ose të shtohen në sallata dhe kos.

6. Arrat pekan
 
Arrat pekan janë burim i yndyrave të shëndetshme dhe përmbajnë polifenole, përbërës me veti antioksiduese. Studimet sugjerojnë se përfshirja e tyre në dietë mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit LDL dhe triglicerideve. Megjithatë, ato kanë përmbajtje të lartë kalorike, ndaj rekomandohet konsumimi në sasi të moderuar. Një porcion prej 28 gramësh përmban rreth 196 kalori.

7. Fistikët
 
Edhe pse nuk janë ndër burimet më të pasura me Omega-3, fistikët janë një ushqim shumë i vlefshëm për një dietë të ekuilibruar. Një porcion prej 28 gramësh përmban rreth 6 gramë proteina dhe 3 gramë fibra. Gjithashtu, ofrojnë vitamina, minerale dhe antioksidantë që mbështesin shëndetin e zemrës dhe tretjen.