“Partia “Mundësia” nuk ulet në tryezë me Edi Ramën”, kështu u shpreh Barbara Doda, sekretare e Partisë “Mundësia”.
Në një intervistë në “News24”, komentoi zhvillimet politike në vend, situatën në PD duke u ndalur edhe te protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Shqiptarët nuk e duan më politikën e vjetër. Si të bëhemi ne me politikën e vjetër. Nuk e bëjmë dot. Ndoshta protesta mund të sjellë një produkt, një parti, kandidatë. Ne nuk mund të neglizhojmë protestën, ne bashkimin që do ta bëjmë do ta bëjmë me sheshin”, tha ajo.
Gjatë intervistës, u ndal edhe te takimi i ministrit Toni Gogu me kryebashkiakun Erion Veliaj, për të cilën tha se duhet patjetër që të bëhet transparencë për këtë çështje, ndërsa shtoi se e sheh si presion.
Më tej nënvizoi se protesta i ka treguar ‘fytyrën e vërtetë, i ka çjerrë maskën kryeministrit Rama’.
“Ne e kemi lënë PD nuk duam të jemi atje. Ne e lamë sepse mendonim që politika e vjetër duhet të marrë fund. Protesta e ka arritur qëllimin e saj. E ka çjerrë maskën e Edi Ramës. Sot të majtëve e të djathtëve iu duket ai çfarë është në realitet, një autokrat i rëndomtë. Këtë gjë protesta e ka treguar hapur. Zoti Kapri ka bërë detyrën e tij duke kërkuar llogari… Ne duam transparencë, nuk është normale që ministri i Drejtësisë të shkojë ta takojë në orën 22:00, sidomos në situatën ku jemi , ku vendi është përfshirë në protesta. Veliaj është i akuzuar dhe të shkojë të vizitohet në mes të natës nga ministri i Drejtësisë, është presion i hapur. Rama dhe Veliaj kanë vjedhur bashkë dhe ky është vetëm fillimi i konfliktit”, tha ajo.
