Aktori Russell Brand dënohet me mbi 10 vite burg për përdhunim dhe sulme seksuale

Botë | 6 minuta më parë

Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është dënuar me 10 vite e gjashtë muaj burg, pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje dhe sulmin seksual ndaj tre grave të tjera.

Vendimi u dha pas një procesi gjyqësor që zgjati katër javë. Brand, 51 vjeç, u shpall fajtor për ngjarje që lidhen me periudhën kur po fitonte famë në botën e spektaklit britanik.

Sipas vendimit, ai përdhunoi një grua 21-vjeçare në vitin 2009 dhe kreu sulme seksuale ndaj tri grave të tjera gjatë viteve 2000.

Gjatë shpalljes së dënimit, gjyqtari Joel Bennathan e cilësoi Brand si një “grabitqar seksual”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt në sallën e gjyqit.

“Ishit i zgjuar dhe në sytë e shumë njerëzve, qesharak dhe karizmatik. Ju gjithashtu ishit bërë një grabitqar seksual”, deklaroi gjyqtari.

Brand u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm.

Gjatë procesit gjyqësor, aktori pranoi se kishte pasur një jetë seksuale aktive dhe shumë partnere, por këmbënguli se marrëdhëniet kishin qenë me pëlqimin e të dyja palëve.

Hetimet ndaj tij nisën pasi disa gra ngritën akuza publike në vitin 2023. Përveç dënimit me burg, Brand do të regjistrohet përgjithmonë në regjistrin e shkelësve seksualë në Mbretërinë e Bashkuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme