Spahiu dhe Kumbaro në Gjirokastër: Spitali Rajonal synon të kthehet në qendër reference për traumatologjinë dhe ortopedinë

Sociale | 12 minuta më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, së bashku me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizituan Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku nga afër panë investimet e realizuara në infrastrukturë dhe diskutuan me stafin mjekësor për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve shëndetësore dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.

Gjatë vizitës, ministrja Spahiu u ndal tek transformimi i ambienteve dhe modernizimi i strukturave të spitalit, duke theksuar se investimet nuk do të kufizohen vetëm në infrastrukturë, por do të shoqërohen me zgjerimin e shërbimeve të specializuara për qytetarët e rajonit.

Ajo bëri të ditur se spitali disponon katër salla kirurgjie, të cilat do të vihen në funksion të specialiteteve të ndryshme, përfshirë ortopedinë, kirurgjinë e përgjithshme, ORL-në dhe okulistikën.

Sipas Spahiut, standardet e reja të krijuara në këtë institucion krijojnë mundësinë që Spitali Rajonal i Gjirokastrës të luajë një rol më të rëndësishëm në hartën kombëtare të shërbimeve shëndetësore.

“Ky spital ka një strukturë me standarde të krahasueshme me ato që ofrohen në vende të Europës. Në kuadër të strategjisë së zhvillimit të shërbimeve shëndetësore, ky spital mund të shndërrohet në një qendër kombëtare për traumatologjinë dhe ortopedinë, me potencial për të ofruar shërbime edhe për rajonin”, u shpreh Spahiu.

Duke folur për projektbuxhetin e vitit 2027, ministrja tha se po ndiqet një qasje e re për organizimin e spitaleve në vend, bazuar në një analizë të plotë të kapaciteteve dhe nevojave të secilës strukturë shëndetësore.

Ajo theksoi se objektivi nuk është mbyllja e spitaleve me përdorim më të ulët të kapaciteteve, por riorganizimi i tyre në funksion të nevojave reale të qytetarëve.

“Ne nuk duam të mbyllim spitalin, por ta formatojmë atë”, deklaroi Spahiu, duke nënvizuar se synimi kryesor mbetet ruajtja e burimeve njerëzore dhe përmirësimi i shërbimeve.

Një pjesë e diskutimeve me stafin mjekësor iu kushtua edhe hartimit të Planit Kombëtar 10-vjeçar për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Shëndetësi, i cili po përgatitet në bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Sipas Spahiut, plani do të fokusohet në adresimin e nevojave për personel të specializuar dhe në rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në vitet e ardhshme.

“Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rritjes së kuotave të mbuluara për mjekët specializantë, me qëllim plotësimin e nevojave për personel të specializuar”, tha ministrja.

Nga ana e saj, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cilësoi zhvillimin e Spitalit Rajonal të Gjirokastrës një lajm pozitiv për të gjithë qarkun, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kapaciteteve shëndetësore edhe në spitalet e Përmetit dhe Tepelenës.

Ajo nënvizoi se investimet në godinat dhe pajisjet moderne duhet të ecin paralelisht me investimet në burimet njerëzore, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime cilësore dhe të qëndrueshme.

Aktualisht, Spitali Rajonal i Gjirokastrës ofron një gamë të plotë shërbimesh, duke përfshirë urgjencën, kirurgjinë, pediatrinë, infektivin, radiologjinë dhe shërbime të tjera të specializuara, ndërsa i shërben rreth 60 mijë banorëve të qarkut.


/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme