Arrestimi i 50-vjeçarit Robert Duka në Tiranë ka marrë vëmendje edhe në mediat greke, të cilat kanë zbuluar detaje nga e kaluara e tij kriminale.

Sipas një artikulli të publikuar nga media greke “Protothema”, Duka, i njohur edhe me emrin Albert Duka, ishte akuzuar më herët për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se ka kryer 28 grabitje bankash në Greqi.

50-vjeçari u arrestua nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”, pasi dyshohet si autor i dy grabitjeve të armatosura në kryeqytet, të ndodhura më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, në zonën e Komunës së Parisit. Nga të dyja ngjarjet dyshohet se janë marrë rreth 75 mijë euro.

Sipas raportimit, grabitja e fundit ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45, kur autori i maskuar dhe i veshur me të zeza mbërriti në bankë me një skuter elektrik. Ai hyri në ambientet e filialit, mbylli derën për të penguar largimin e personave që ndodheshin brenda dhe kërcënoi me armë punonjësin e sigurisë dhe arkëtaren.

Pasi mori rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme, ai u largua me skuterin elektrik. Ndërsa grabitja e parë ishte kryer pesë muaj më herët, më 2 qershor, në një tjetër bankë të së njëjtës zonë, ku u morën rreth 15 mijë euro.

Mediat greke ndalen veçanërisht te lidhjet e dyshuara të 50-vjeçarit me aktivitetin kriminal në Greqi. Sipas raportimit, autoritetet shqiptare e kishin mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, pasi dyshohej se po përgatitej të largohej sërish drejt vendit fqinj.

Një tjetër detaj i përmendur në artikull është se bashkëshortja e Dukës punon në një tjetër institucion bankar në Shqipëri. 50-vjeçari jetonte në Vlorë, por kishte marrë me qira edhe një banesë në Tiranë, të cilën dyshohet se e përdorte si vendstrehim.

Ai u arrestua pranë Rrugës së Kosovarëve në kryeqytet. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8,200 euro, dy telefona celularë dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.

Sipas autoriteteve shqiptare, identifikimi i tij u bë përmes metodave speciale hetimore, sistemeve teknologjike dhe analizimit të veshjeve, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur fytyrën.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të dy grabitjeve në Tiranë dhe verifikimin e lidhjeve të mundshme të të arrestuarit me aktivitetin kriminal në Greqi.