Kanadaja ka vendosur sanksione shtesë kundër Rusisë “për të rritur më tej koston ekonomike të luftës së Moskës”, njoftoi Ministrja e Jashtme kanadeze Anita Anand në margjinat e samitit të G7 në Paris. Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Kanadasë, Ottawa shtoi në listën e sanksioneve 38 organizata dhe 24 individë për të kufizuar më tej aftësitë ushtarake të Rusisë.
Qeveria kanadeze po përqendrohet kryesisht tek baza e industrisë së mbrojtjes, duke vendosur masa kundër aktorëve të përfshirë në zhvillimin e teknologjisë së raketave balistike dhe në operacione kibernetike të Rusisë. Sanksionet synojnë gjithashtu të godasin ndërmjetësit financiarë që ndihmojnë në mbajtjen dhe zhvillimin e “ekonomisë ruse të luftës”, përfshirë bursat e kriptomonedhave që lehtësojnë qasjen në fonde dhe transaksione. Ministria theksoi se këto masa janë të dizajnuara për të rritur presionin ekonomik ndaj Moskës dhe për të kufizuar kapacitetet ushtarake të vendit.
Deklarata e Ministrisë së Jashtme nënvizon se Kanadaja vepron në koordinim me aleatët dhe partnerët për të rritur presionin ndaj atyre që mundësojnë dhe mbështesin luftën e Rusisë. Sanksionet e reja janë pjesë e një strategjie më të gjerë kanadeze për të goditur zyrtarë, organizata dhe infrastrukturë që shpesh përdoren për të anashkaluar kufizimet ndërkombëtare dhe për të mbështetur aktivitetet e lidhura me luftën.
Lista kanadeze e sanksioneve kundër Rusisë tashmë përfshin më shumë se 1,600 individë dhe 850 organizata. Ajo përfshin edhe rreth 730 anije që besohet se i përkasin një “flote në hije” që Moska përdor për të anashkaluar sanksionet perëndimore dhe për të eksportuar hidrokarburet ruse. Ministria e Jashtme e Kanadasë e prezantoi këtë përditësim si një vazhdimësi të përpjekjeve për të ndëshkuar dhe izoluarnë mënyrë ekonomike aktorët që kontribuojnë në luftën e Rusisë në Ukrainë.
