“Moti i keq më shpëtoi jetën”, profesori që mposhti depresionin falë shiut dhe stuhive Liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, synon të shkurtojë ndjeshëm kompetencat dhe financimin e shërbimit diplomatik të Bashkimit Europian, nëse fiton zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2027. Në këtë mënyrë, në shënjestër të planit të saj do të ishte edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Sipas katër zyrtarëve të Tubimit Kombëtar (National Rally), partia e drejtuar nga Le Pen synon të kufizojë ndjeshëm Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), institucionin që koordinon politikën e jashtme dhe përfaqësimin diplomatik të Bashkimit Europian, shkruan “Politico”
Charles-Henri Gallois, këshilltar i presidentit të kësaj partie, Jordan Bardella, kritikoi rolin e Kallas, duke pretenduar se kompetencat e saj janë të kufizuara dhe se ajo dublon punën diplomatike të shteteve anëtare.
“Realiteti është se dobia e saj është shumë e kufizuar dhe ajo dublon diplomacinë e shteteve anëtare. Askush nuk e njeh legjitimitetin e saj, veçanërisht jo Shtetet e Bashkuara dhe as Kina”, deklaroi Gallois.
Kritikat ndaj Kallas vijnë në një kohë kur partitë nacionaliste në Francë, Gjermani dhe Poloni po kërkojnë rikthimin e më shumë kompetencave nga institucionet e Brukselit te qeveritë kombëtare. Politika e jashtme është një nga fushat ku këto parti synojnë të ndërhyjnë.
Një nga çështjet kryesore ku qëndrimet e Marine Le Pen dhe Kaja Kallas janë të ndryshme është lufta në Ukrainë. Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe ka mbështetur fuqishëm Ukrainën dhe presidentin Volodymyr Zelenskyy.
Ndërkohë, Le Pen kërkon organizimin e një konference ndërkombëtare për paqen, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa ka deklaruar se Evropa nuk ka më burime financiare për të vazhduar ndihmën ndaj Kievit në të njëjtën mënyrë.
Eurodeputeti i National Rally, Jean-Paul Garraud, kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur nga Kallas për luftën në Ukrainë.
“Kallas ka përdorur një gjuhë shumë luftarake për Ukrainën. Ne e mbështesim Ukrainën, por nëse do të shpreheshim në të njëjtën mënyrë, do të përfundonim në një luftë të hapur me Rusinë”, deklaroi ai.
Megjithëse Le Pen i ka drejtuar kritikat më të ashpra ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndryshimi i mundshëm i pushtetit në Francë mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe te institucioni që drejton Kallas.
Gjatë një vizite të fundit në Bruksel, Le Pen deklaroi se, nëse vjen në pushtet, Franca nuk do të pranojë që Komisioni Europian të ushtrojë kompetenca diplomatike, ushtarake apo të inteligjencës.
“Franca nuk do të pranojë më që Komisioni të ushtrojë kompetenca diplomatike dhe aq më pak kompetenca ushtarake apo të inteligjencës”, u shpreh ajo.
Sipas zyrtarëve të National Rally, ky plan do të përfshinte edhe reduktimin e ndjeshëm të rolit të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm.
Megjithatë, kjo nismë pritet të përballet me kundërshtimin e partive proevropiane, të cilat e konsiderojnë diplomacinë e përbashkët një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të Europës në arenën ndërkombëtare.
Eurodeputeti irlandez Barry Andrews, nga grupi Renew Europe, paralajmëroi se Franca nuk mund të përballojë e vetme konkurrencën me fuqitë e mëdha botërore.
“Pa fuqinë kolektive të Europës, Franca nuk ka asnjë mundësi të përballet e vetme me Shtetet e Bashkuara apo Kinën”, deklaroi Andrews.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm mbrojti rolin e institucionit, duke deklaruar se diplomacia e BE-së mbron interesat e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë Francën.
Top Channel