Është identifikuar gruaja, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje të braktisur në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë, pasditen e së dielës, më 8 nëntor. Bëhet fjalë për një 24-vjeçare nga Burkina Faso, zhdukja e së cilës ishte denoncuar në polici më 29 tetor.
Identifikimi i saj u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve, të cilat rezultonin të regjistruara në databazën e Policisë Greke. Sipas mediave greke, e reja kishte qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve për shkelje të ligjit për të huajt, konkretisht për hyrje të paligjshme në Greqi.
Zhdukja e 24-vjeçares ishte raportuar nga një mikeshë e saj në Komisariatin e Policisë së Kypselit, ndërsa rrethanat e humbjes së kontakteve me të po shqyrtohen nga hetuesit.
Trupi i pajetë u zbulua brenda një valixheje të lënë në trotuar, në kryqëzimin e rrugëve Alkamenus dhe Harisis. Ishte një kalimtar që, pasi kishte ndjerë erën e rëndë që vinte nga valixhja, njoftoi policinë. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan se brenda saj ndodhej trupi i një gruaje.
Nga ekzaminimi mjeko-ligjor nuk janë konstatuar shenja të dukshme dëmtimesh, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Dyshohet se 24-vjeçarja kishte ndërruar jetë rreth shtatë ditë përpara se trupi të zbulohej.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se këmbët e viktimës janë gjetur të lidhura. Departamenti i Vrasjeve ka marrë përsipër hetimet, të cilat tashmë janë përqendruar në zbardhjen e rrethanave të vdekjes dhe lëvizjeve të 24-vjeçares përpara se të humbiste kontaktet me të afërmit.














