Zyrtarët francezë akuzuan të hënën Gardën Revolucionare të Iranit si përgjegjëse për sulmet kibernetike që muajin e kaluar nxorën jashtë funksionit frigoriferët dhe ngrirësit komercialë në të gjithë Francën. Ata paralajmëruan se Irani do të përballet me pasoja.
Sulmet kibernetike që goditën qindra supermarkete franceze në fillim të tetorit ishin ndër incidentet më të rënda të këtij lloji që nga nisja e luftës me Iranin në shkurt, një konflikt i shoqëruar nga një sërë incidentesh të izoluara të dyshuara për ndërhyrje digjitale. Këto përfshijnë sulme ndaj sistemit të transportit publik në Los Anxhelos në mars, ndaj impianteve amerikane të trajtimit të ujit në korrik dhe ndaj anijeve me destinacion Shtetet e Bashkuara në gusht, shkruan Reuters.
Misioni i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Irani mohon rregullisht përfshirjen në operacione keqdashëse kibernetike.
Njoftimi i Francës u bë vetëm pak minuta pasi agjencia Reuters publikoi se hetuesit dyshonin privatisht se Irani qëndronte pas sulmeve. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se ambasadori iranian ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme të Francës. Barrot paralajmëroi gjithashtu mundësinë e vendosjes së sanksioneve të tjera të Bashkimit Evropian ndaj Iranit.
Sulmi kibernetik i 11 tetorit, i cili gjatë natës anashkaloi sistemet e kontrollit të temperaturës në frigoriferët komercialë të qindra bizneseve, duket se ka qenë relativisht i lehtë për t’u realizuar, u shprehën më herët ekspertët e sigurisë kibernetike për Reuters.
Kompania që prodhonte një pjesë të madhe të pajisjeve të prekura deklaroi se disa prej tyre ishin të vjetruara ose përdornin versione të vjetra të programeve kompjuterike të brendshme (firmware), çka mund t’ua kishte lehtësuar hakerëve depërtimin në sistem.
Pasojat, megjithatë, ishin dramatike. Në disa frigoriferë temperatura u rrit aq shumë, saqë pajisjet morën flakë. Në orët pas sulmit, punonjësit e supermarketeve nxorën me karroca kuti të mbushura me mish të prishur dhe akullore të shkrirë, duke i hedhur në kontenierë të mëdhenj mbeturinash.
Sipas vlerësimit të pronarit të një supermarketi francez, dëmi i përgjithshëm ekonomik nga sulmi mund të arrijë në dhjetëra miliona euro në shkallë vendi.
Reuters nuk arriti të përcaktonte saktësisht se si autoritetet franceze dolën në këtë përfundim. Megjithatë, sipas tre personave të njohur me çështjen, të paktën një kompani teknologjike, Microsoft, e kishte lidhur privatisht Iranin me sulmet kibernetike ndaj frigoriferëve që të paktën dy javë më parë. Microsoft nuk pranoi të komentonte.
Sulmet në Francë u pasuan këtë muaj nga një valë e dytë sulmesh kibernetike, e cila goditi më shumë se 100 institucione dhe biznese në të gjithë Evropën. Këtë herë u prekën edhe frigoriferët që përdoren nga bankat franceze të gjakut, duke detyruar punonjësit të transferonin një pjesë të rezervave të gjakut në pajisje të tjera frigoriferike.
Natyra relativisht e thjeshtë e sulmeve ndaj frigoriferëve dhe përsëritja e tyre në disa vende kanë nxitur spekulime mbi autorët e mundshëm, në një kohë kur shqetësimet për fushatën e dyshuar të sabotimit të Rusisë në Evropë, luftën mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe përhapjen globale të sulmeve kibernetike të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, janë në rritje.
Në raport përmenden edhe tre persona të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me të: Hamid Reza Lashgarian, Mahdi Lashgarian dhe Reza Salarvand.
Reuters nuk arriti të gjente menjëherë të dhëna kontakti për këta persona, fotografitë e të cilëve ishin përfshirë në raport.
Sipas raportit francez, hakerët vepronin përmes një numri të madh grupesh të krijuara si mbulesë, të cilat paraqiteshin si grupe hakerësh që pretendonin se vepronin për të vendosur drejtësinë me duart e tyre. Ndër këto grupe përmenden “CyberAveng3rs” dhe “Cyber Isnaad Front”.
Autoritetet franceze deklaruan se arritën ta lidhnin Shahid Kaveh me sulmet përmes disa elementeve: identifikimit të infrastrukturës digjitale të përdorur për sabotimin e frigoriferëve, krahasimit të mënyrës së depërtimit në sisteme me sulme të tjera të kryera nga Shahid Kaveh, si dhe zbulimit të gjurmëve të gjuhës perse në infrastrukturën e përdorur për sulmet.
Raporti bën të ditur se në total ishin shënjestruar 700 objekte tregtare në të gjithë Francën dhe se si pasojë e rritjes së qëllimshme të temperaturës brenda njësive frigoriferike kishin shpërthyer të paktën 15 zjarre.
Shumica e objekteve të prekura ishin supermarkete, por sulmet kishin goditur gjithashtu dyqane të vogla kasapësh, një thertore dhe fabrika të përpunimit të produkteve ushqimore.
Sabotimi i frigoriferëve në supermarketet evropiane ishte paraprirë nga të paktën një incident i ngjashëm në Shtetet e Bashkuara.
Në gusht, frigoriferët në të paktën gjashtë dyqane ushtarake ushqimore dolën jashtë funksionit. Hetuesit e Pentagonit po i trajtojnë këto defekte si një sulm të mundshëm kibernetik dhe po bashkëpunojnë me zyrtarët francezë për të zbardhur ngjarjen, raportoi Reuters muajin e kaluar.
Reuters nuk arriti të përcaktonte në mënyrë të pavarur nëse ekziston ndonjë lidhje mes incidenteve me pajisjet frigoriferike në bazat ushtarake amerikane në gusht, fushatës së sulmeve në Francë dhe valës më të fundit të sulmeve ndaj frigoriferëve në Evropë.
Një person i njohur me çështjen deklaroi se Pentagoni e konsideron Iranin si një nga të dyshuarit për sulmet e gushtit ndaj frigoriferëve në dyqanet ushtarake, por hetimi është ende në zhvillim.
Reuters nuk arriti të përcaktonte se si ushtria amerikane kishte arritur në këtë përfundim apo nëse po hetonte edhe pista të tjera. Fakti që ushtria amerikane e konsideron Iranin të dyshuar për fushatën e sabotimit në dyqanet ushtarake ishte raportuar fillimisht muajin e kaluar nga portali informativ Nextgov.
Pentagoni deklaroi të hënën se ishte “në dijeni të spekulimeve lidhur me një incident të mundshëm kibernetik”, por theksoi se hetuesit ushtarakë po merren me çështjen dhe se, për arsye sigurie, nuk mund të japë komente të mëtejshme.