Gjyqtarja e posaçme Elsa Ulliri e hapi seancën për çështjen e Partizanit, ku dëgjuan dëshmitarë të rëndësishëm, duke lënë të kuptohej se kishte rezervat e saj për rregulloren kufizuese që përplasi gjykatën me avokatinë dhe median. Pas një bojkotimi disa javor, gjyqtarja falënderoi avokatët për prezencën. Ajo njoftoi palët se eksperti i caktuar kishte komunikuar se do të vinte me vonesë dhe se sapo të mbërrinte do t’i shkruante sekretares; për këtë moment gjyqtarja komentoi: “Eksperti nuk e di që as sekretares nuk i lejohet telefoni”. Këto batuta gjatë hapjes lanë të kuptohej se, megjithë rënien e bojkotit, rregullorja vazhdon të jetë në pikëpyetje.
E para që dëshmoi ishte ish-drejtoresha e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Justina Boriçi, e cila kujtoi se pas emërimit në detyrë ish-kryeministri Sali Berisha nuk i kishte kërkuar kurrë favorizim për pronat. Boriçi theksoi mungesën e kërkesave të tilla gjatë kohës kur mbante detyrën.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaroi se pronat e ushtrisë janë asete kombëtare. Ai bëri të ditur se ambientet e Sport Klub Partizanit nuk ishin pjesë e planit të përhapjes së Forcave të Armatosura, duke shtuar se çështja ishte e ushtrisë. Mediu theksoi disa herë se ministri kishte kompetenca politike dhe jo operacionale.
Ish-komandanti i Mbështetjes Logjistike, Vladimir Qiriazi, rrëfeu se në vitin 2009 ishte njohur me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që i kërkonte firmën për shitjen e Partizanit. Për këtë veprim, Qiriazi pohoi se kishte vënë në dijeni shefin e Shtabit. Pas kontakteve me ministrin, shtoi ai, “më vjen një ekip nga Drejtoria e Antikorrupsionit dhe më kërkuan sqarime pse unë nuk e firmos”. Qiriazi tha gjithashtu: “E pashë që situata nuk është mirë dhe kërkova të takoj komandantin e Përgjithshëm, Bamir Topi”; sipas tij, pasi Topi nuk pranoi takim, i kërkoi: “Vijo, zbato ligjin”.
