Kthupi: Kodi Zgjedhor favorizon PD dhe PS, administrata zgjedhore duhet të depolitizohet
Juristi Rezart Kthupi e konsideron të nevojshëm një rishikim të thellë të Kodit Zgjedhor, duke theksuar se ndryshimet nuk duhet të kufizohen vetëm te përshtatja me hartën e re elektorale apo ndarja e shtetit nga partia.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Kthupi deklaroi se Kodi aktual favorizon dy partitë e mëdha, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, duke penalizuar forcat e tjera politike.
Sipas tij, reforma duhet të synojë krijimin e një sistemi zgjedhor të balancuar, që garanton zgjedhje të lira dhe përfaqësim të të gjithë spektrit politik. Për këtë arsye, ai propozoi që në procesin e reformimit të Kodit Zgjedhor të përfshihen edhe faktorë jopolitikë, të cilët, sipas tij, përfaqësojnë interesin e qytetarëve dhe jo interesat e dy partive kryesore.
Kthupi u ndal edhe te kërkesa e Partisë Demokratike për lista 100% të hapura, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e qëndrimeve të saj ndër vite.
INTERVISTA E PLOTË:
PD dhe PS sot u paraqitën me dy përparësi krejt të ndryshme: Partia Socialiste flet për përshtatjen e Kodit Zgjedhor me hartën e re elektorale, pasi ligji sapo ka kaluar, kurse Partia Demokratike këmbëngul tek ndarja e shtetit nga partia. Ju si jurist si mendoni, sjellja nga këto dy përparësi cila ka më shumë rëndësi?
Rezart Kthupi: Mendoj që kodi ka nevojë për shumë ndërhyrje. Të dyja këto janë pjesë të ndryshme përparësish, por kodi ka nevojë të riformatojë një sistem të balancuar zgjedhor dhe problemi nuk lidhet as me mënyrën se si shpërndahen mandatet në zgjedhjet lokale dhe as thjesht me ndarjen e partisë nga shteti. Pa dyshim që janë elementë të rëndësishëm, por nuk është ky thelbi. Ai kod duhet rishikuar për të krijuar një sistem zgjedhjesh të lira dhe një sistem zgjedhjesh jo në favor të dy partive të mëdha. Dhe ky është problemi që kemi: ky kod zgjedhor, në formën që është shkruar, është bërë specifikisht për të favorizuar PD-në dhe PS-në, dhe pastaj kjo lojë që bën PD-ja dhe PS-ja në shfaqjen mediatike nuk ka asnjë lloj vlere. Të kujtojmë që ishin po këto dy parti që kishin të njëjtat prioritete kur erdhi puna për të votuar kodin zgjedhor; u ulën brenda një jave dhe e gjetën konsensusin për të bërë një kod zgjedhor që penalizoi të gjitha partitë e tjera përveç tyre. Kështu që mendoj se, nëse do të donim vërtet të kishim një kod zgjedhor, kodi duhet ta zgjeronte sferën e personave që marrin pjesë në atë komision. Nuk duhet të jenë thjesht këto dy parti apo grupimet politike përkatëse, por duhet të futen edhe faktorë të tjerë jo politikë, të cilët kanë në objektiv të tyre interesin e qytetarëve dhe jo thjesht interesin për të ndërtuar një sistem të balancuar politik për PD-në dhe PS-në.
Nuk është hera e parë që dëgjohet, por sot Partia Demokratike duket sikur po e thekson që kërkon lista të hapura 100%. Kurse Partia Socialiste nuk ka ende një propozim që përsëritet herë pas here. Si mendoni?
Rezart Kthupi: Mund t’ju thosha një fakt: zoti Bylykbashi ka qenë në komisionin zgjedhor të paktën në tre apo katër komisionet e fundit, dhe në vitin 2020 kur është çuar në atë kohë kërkesa, ka qenë në komision specifikisht për të adresuar listat e hapura. Nuk u miratua atëherë pikërisht sepse vetë zoti Bylykbashi nuk beson te sistemi i listave të hapura. Ka qenë pjesë e komisionit edhe në vitin 2024 kur u kërkua me të madhe lista 100% të hapura, madje ka pasur edhe një projektligj në parlament për këtë, por komisioni i përbërë nga zoti Gjiknori dhe zoti Bylykbashi vendosi që të mos i bënte listat e hapura. Të dy kanë mbrojtur teorinë e panevojshmërisë së listave të hapura me logjikën se kjo nuk i shërben sistemit sepse sistemi ka nevojë për balancë politike e kështu me radhë. Pyetja që shtrohet është: Pse Partia Demokratike i ndërron këto mendime çdo dy vjet sipas interesit të çastit? Sepse ishte shumë mirë që listat e hapura të ishin në zbatim për vitin 2025, ishte kërkesa nga poshtë, kishte edhe një vendim të Gjyskatës Kushtetuese për këtë, dhe pikërisht këta dy zotërinj në atë komision vendosën që të mos ishin të hapura. Kështu që duhet pak koherencë historike si nga parti politike, ashtu edhe si individë.
Sot Partia Demokratike kërkon që të merren masa kundër përdorimit politik të shtetit, kurse Partia Socialiste flet për një administratë zgjedhore të paanshme. Përsëri opinioni juaj?
Rezart Kthupi: Administrata zgjedhore duhet të jetë e depolitizuar. Kjo është kërkesë e hershme e OSBE/ODIHR-it dhe është kërkesë aktuale, sepse në një spektër politik me më shumë se dy parti nuk ka pse partitë e tjera, që nuk kanë komisionerë, vëzhgues apo administrate, të penalizohen për këtë fakt. Sistemi zgjedhor është i të gjithë spektrit politik shqiptar dhe nuk ka pse votat e partive të dyta, të treta apo të katërta t’i numërojnë njerëz që i cakton PD-ja dhe PS-ja. Në një shtet normal, komisioni zgjedhor është një komision apolitik që përcaktohet nga administrata dhe zgjidhet pa pasur nevojë të ketë përkatësi partiake. Në qoftë se i bëni sot një analizë sistemit zgjedhor në Shqipëri, me përjashtim të KQZ-së si strukturë qendrore që presupozohet se është e depolitizuar, gjithë pjesë tjetër e administratës zgjedhore në nivel vendor është tërësisht politike, gjysma e caktuar nga Partia Socialiste dhe gjysma nga Partia Demokratike. Këto dy parti nuk mund ta administrojnë zgjedhjen në Shqipëri sepse është anakronike që sistemin të mos e bëjë një administratë shtetërore ose apolitike, por ta bëjnë partitë që mund ta marrin peng atë në çdo kohë.




