Paris, Kurti takon personalitete franceze që mbështetën Kosovën, në fokus siguria, ekonomia dhe integrimi euroatlantik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Paris me disa personalitete franceze që kanë kontribuar ndër vite për Kosovën. Takimi u mbajt në prag të nisjes zyrtare të Forumit të Paqes në Paris, ku në fokus ishin zhvillimi ekonomik, investimet në siguri dhe mbrojtje, si dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.
Në takim morën pjesë ish-ministri francez i Mbrojtjes, Alain Richard, oficeri i ushtrisë Gilles Pernet, antropologia dhe studiuesja Véronique Nahoum-Grappe, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin, si dhe gazetarja dhe ish-këshilltarja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann.
Kurti bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te zhvillimet në Kosovë, situata e sigurisë dhe çështjet e drejtësisë ndërkombëtare.
“Biseduam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm ekonomik, për investimet në siguri e në mbrojtje, për aktgjykimin e padrejtë të 16 shtatorit dhe angazhimin për korrigjimin e tij në apel”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës foli gjithashtu për planet e qeverisë në mandatin e ri dhe rëndësinë e mbështetjes franceze në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Personalitetet e pranishme kanë pasur angazhim të ndryshëm në mbështetje të Kosovës ndër vite, përfshirë çështjen e ndërhyrjes së NATO-s më 1999, dokumentimin e luftës, drejtësinë ndërkombëtare dhe promovimin e kulturës kosovare në Francë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



