Përhapja e automjeteve elektrike në mbarë botën po ndikon ndjeshëm në uljen e konsumit të naftës dhe të ndotjes së mjedisit, duke kontribuar njëkohësisht në reduktimin e varësisë nga karburantet fosile.

Sipas një analize të Federatës Europiane për Transport dhe Mjedis (T&E), automjetet elektrike që qarkullojnë aktualisht në rrugët e botës shmangin konsumin e rreth 1.2 milionë fuçive naftë çdo ditë.

Kjo shifër është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur kursimi ditor vlerësohej në rreth 215 mijë fuçi. Të dhënat tregojnë se elektrifikimi i transportit po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e klimës.

Përfitimet pritet të shtohen edhe më shumë në dekadën e ardhshme. Sipas projeksioneve që bazohen në politikat aktuale, deri në vitin 2034 automjetet elektrike mund të shmangin konsumin e rreth 5.8 milionë fuçive naftë në ditë.

Ndikimi i këtij transformimi është veçanërisht i rëndësishëm për faktin se transporti rrugor përfaqëson pothuajse gjysmën e konsumit global të naftës. Krahas makinave personale, elektrifikimi po përfshin gjithnjë e më shumë edhe autobusët dhe kamionët.

Sipas analizës, autobusët elektrikë përbëjnë rreth 5% të flotës botërore, ndërsa kamionët elektrikë rreth 1%. Megjithatë, në disa tregje, këto mjete kanë arritur të zënë më shumë se gjysmën e shitjeve të reja në kategoritë përkatëse.

Vetëm autobusët dhe kamionët elektrikë ndihmojnë në shmangien e konsumit të rreth 320 mijë fuçive naftë në ditë.

Përveç kursimit të karburantit, automjetet elektrike kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm edhe në reduktimin e emetimeve ndotëse. Sipas të dhënave të T&E, ato shmangin çdo vit më shumë se 200 milionë tonë emetime ekuivalente të CO2.

Norvegjia, Danimarka dhe Hong Kongu përmenden si disa prej tregjeve ku përdorimi i automjeteve elektrike ka arritur nivele veçanërisht të larta.

Drejtori i Federatës Europiane për Transport dhe Mjedis, Antony Froggatt, vlerëson se elektrifikimi i transportit është një nga instrumentet më efektive për të ulur kërkesën për naftë dhe për të mbrojtur ekonomitë nga krizat energjetike.

Sipas tij, pesë vite pas samitit të klimës në Glasgow, përhapja e automjeteve elektrike përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme në përpjekjet globale për mbrojtjen e mjedisit.