Deputeti i PD-së, Luan Baçi ka dalë kundër çdo kompromisi për përfshirjen e listave të mbyllura në sistemin zgjedhor, duke kërkuar që kandidatët për deputetë të përballen plotësisht me votën e qytetarëve. Për të Partia Demokratike dhe opozita duhet të qëndrojnë të palëkundura në propozimin për lista 100% të hapura.
Sipas tij, pranimi qoftë edhe i një përqindjeje të vogël të listave të mbyllura do të përbënte një hap pas për PD-në dhe do të shërbente për të mbrojtur deputetë që, sipas tij, nuk kanë besim te mbështetja e elektoratit. “Do të jetë për turpin e Partisë Demokratike që të pranohet një listë me përqindje sado të vogël të mbyllur, për të ruajtur 10-15 deputetë që i tremben elektoratit dhe votës së qytetarëve”, u shpreh Baçi.
Ai theksoi se çështja kryesore është garantimi i hapjes së plotë të listave, ndërsa modeli i sistemit proporcional, kombëtar apo rajonal, mund të diskutohet mes palëve. “Çdo deputet duhet të artikulojë qartë që është për listë të hapur 100%. Pastaj, se është proporcional kombëtar apo proporcional rajonal, ajo ha diskutim”, deklaroi deputeti demokrat.
Baçi vlerësoi gjithashtu rolin e studentëve në artikulimin e kërkesave për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke nënvizuar se presioni qytetar ka ndikuar në qartësimin e qëndrimit për listat plotësisht të hapura. Në këtë kontekst, ai i bëri thirrje edhe mazhorancës që të reflektojë për kërkesat e qytetarëve dhe të shprehet qartë në favor të këtij ndryshimi.
“PS-ja dhe ky kryeministër duhet të reflektojnë për të plotësuar kërkesat. Dhe një nga kërkesat është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Të dalë kryeministri dhe të thotë që është për listë 100% të hapur”, përfundoi Baçi.
