Media turke e krahason Ernest Muçin me Zinedine Zidane, elegancë dhe klas në fushën e lojës
Ernest Muçi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin turk falë paraqitjeve të tij me Trabzonsporin. Sulmuesi shqiptar është kthyer në një nga lojtarët më të komentuar të skuadrës, ndërsa mediat vendase po vlerësojnë teknikën, kreativitetin dhe mënyrën e tij të veçantë të lojës.
Portali turk “61saat.com” ka bërë një krahasim mjaft të veçantë, duke e lidhur stilin e 25-vjeçarit shqiptar me atë të legjendës franceze Zinedine Zidane. Sipas medias turke, eleganca me topin, lëvizjet në fushë dhe kombinimet me shokët e skuadrës të kujtojnë mënyrën se si ish-ylli i Francës dominonte në mesfushë.
Muçi ishte protagonist edhe në suksesin 2-0 të Trabzonsporit ndaj Alanyasporit. Shqiptari dhuroi një pasim fantastik me pjesën e jashtme të këmbës për Mohamed Salah, duke i krijuar një mundësi të artë për gol, por ky i fundit u ndal nga portieri kundërshtar.
Pavarësisht mungesës së asistit, Muçi zhvilloi një ndeshje pozitive dhe qëndroi në fushë deri në minutën e 80-të, duke kontribuar në fitoren e rëndësishme të skuadrës së tij.
Krahasimi me Zidane është një tjetër vlerësim i veçantë për futbollistin shqiptar, i cili po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë dhe respekt në kampionatin turk.




