Jana e Durrësit lë qytetin në errësirë, qytetarët përballen me rrugë pa ndriçim
Rrugët e Durrësit vijojnë të përballen me mungesën e ndriçimit publik, një problem që bëhet edhe më i dukshëm me shkurtimin e ditës dhe afrimin e dimrit. Në disa prej lagjeve të qytetit, qytetarët detyrohen të lëvizin në errësirë, pasi ndriçuesit nuk funksionojnë ose nuk ofrojnë ndriçim të mjaftueshëm.
Situata është veçanërisht problematike në lagjet nr. 16, 17 dhe 18, ku segmente të tëra rrugore mbeten pa ndriçim gjatë orëve të mbrëmjes. Pranë stadiumit “Niko Dovana”, në lagjen nr. 18, errësira përfshin pothuajse të gjithë rrugën, duke i lënë këmbësorët të mbështeten te dritat e automjeteve dhe të ndërtesave për të orientuar lëvizjen.
Probleme të ngjashme raportohen edhe në pjesë të lagjeve 16 dhe 17, ku mungesa e ndriçimit vështirëson qarkullimin dhe shton shqetësimet për sigurinë e banorëve.
Rruga “Azem Hajdari”, punimet prej vitit 2021 dhe ende pa ndriçim
Një tjetër rast problematik është rruga “Azem Hajdari”, në zonën e ish-Kënetës. Aktivisti Shyqyri Myrtollari thotë se punimet për ndërtimin e saj kanë nisur që në vitin 2021, por rruga ende nuk është përfunduar plotësisht.
Përveç vonesave, ai ngre shqetësimin për mungesën e ndriçimit në një aks ku qarkullimi i automjeteve është i konsiderueshëm dhe ku, sipas tij, janë regjistruar edhe raste aksidentesh.
“Është bërë një pjesë e konsiderueshme e rrugës, por edhe këtu mungon ndriçimi dhe, duke qenë se kjo rrugë ka një qarkullim të konsiderueshëm të makinave, kemi edhe shumë raste aksidentesh”, shprehet Myrtollari.
Problematika është evidentuar edhe në rrugën përpara Mauzoleumit të Dëshmorëve, ku ndriçimi funksionon vetëm në njërën anë, ndërsa trotuari në krahun tjetër mbetet në errësirë. Kjo situatë vështirëson lëvizjen e këmbësorëve, veçanërisht të nxënësve, të moshuarve dhe qytetarëve që kthehen nga puna në orët e mbrëmjes.
Bashkia ka pranuar amortizimin e rrjetit, por banorët kërkojnë investime
Mungesa e ndriçimit nuk është një shqetësim i ri për qytetin bregdetar. Në një përgjigje zyrtare të vitit 2025, Bashkia Durrës kishte pranuar vështirësi në mirëmbajtjen e rrjetit, duke ia atribuar problemet amortizimit të pajisjeve dhe infrastrukturës në disa zona.
Ndërkohë, aktivisti Myrtollari ngre pikëpyetje mbi nivelin e investimeve të kryera për këtë shërbim, duke pretenduar se fondet e parashikuara për ndriçimin e rrugëve dhe lagjeve janë ulur.
Ai kërkon gjithashtu transparencë mbi të ardhurat që Bashkia mbledh nga tarifa e ndriçimit, e cila paguhet nga familjet dhe bizneset përmes faturave të ujit të pijshëm.
Sipas tij, duhet të bëhet e qartë se sa para mblidhen nga kjo tarifë dhe sa prej tyre rikthehen në investime për përmirësimin e shërbimit.
Shqetësime ngrihen edhe për projektet e rikonstruksionit në zonën e Durrësit të Ri. Sipas informacioneve të aktivistit, ndërhyrjet në rrugicat mes akseve “Sulejman Pitarka”, “Bisht Kamza” dhe “Tahsim Këlliçi” parashikojnë punime për kanalizimet dhe betonimin, por jo përmirësimin e ndriçimit publik.
Kështu, ndërsa Bashkia vijon projektet infrastrukturore në qytet, mungesa e ndriçimit mbetet një problem i pazgjidhur në disa prej zonave të Durrësit. Për banorët, kërkesa është e drejtpërdrejtë: rrugë të ndriçuara dhe kushte më të sigurta për të lëvizur pas perëndimit të diellit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



