Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei ka rrëfyer detaje të reja nga shoqërimi i tij në polici gjatë protestës në Tiranë, duke deklaruar se brenda komisariatit është diskutuar mundësia për ta lidhur me grupimin Antifa, me qëllim gjetjen e një arsyeje për ta mbajtur të ndaluar.
I ftuar një emision në SYRI TV, gazetari që jeton dhe punon në Tiranë tha se efektivët që e shoqëruan fillimisht mund të mos kishin dijeni për arsyet e ndalimit, por sipas burimeve të tij brenda Policisë së Shtetit, në komisariat janë diskutuar pretendime të tjera.
“Patjetër që ne kemi edhe burime brenda Policisë së Shtetit dhe më kanë treguar se si është diskutuar për ndalimin tim. Për shembull, që unë mund të lidhem me Antifa-n. Kështu që është patjetër një përrallë. Por është interesante për mua, sepse kjo tregon që ata janë përpjekur në njëfarë mënyre të gjejnë një arsye për të më mbajtur”, u shpreh van Gerven Oei.
Ai tha se autoritetet e dinin që kishin të bënin me një gazetar dhe shkrimtar, por pavarësisht kësaj, sipas tij, janë përpjekur të sajojnë një shkak për shoqërimin e tij.
Gazetari bëri të ditur se qëndrimi i tij në komisariat zgjati pesë orë, kohë që ai e cilësoi si kufirin maksimal të lejuar për këtë procedurë. Sipas tij, në të njëjtën mënyrë është mbajtur për pesë orë edhe një kameraman tjetër që ndodhej në protestë.
Deklaratat e gazetarit ngrenë pikëpyetje mbi arsyet e shoqërimit të tij dhe trajtimin e personave që raportojnë nga protestat, ndërsa deri më tani nuk kemi një sqarim nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e bëra publike.