Policia e Shtetit ka dhënë alarmin për një valë të re mashtrimesh online, që po përhapen përmes mesazheve SMS. Skema, e njohur si “smishing”, synon të mashtrojë qytetarët duke përdorur emrat e institucioneve publike, përfshirë Bashkinë e Tiranës, DPSHTRR-në dhe Postën Shqiptare.
Përmes mesazheve të rreme, qytetarët udhëzohen të klikojnë në lidhje të dyshimta, ku më pas u kërkohet të plotësojnë të dhëna personale dhe informacione bankare. Këto të dhëna mund të përdoren nga mashtruesit për të hyrë në llogaritë bankare dhe për të përvetësuar shuma parash.
Për të shmangur rënien pre e këtyre skemave, autoritetet apelojnë për vigjilencë, duke këshilluar qytetarët të mos hapin linke të panjohura dhe të mos japin në asnjë rast të dhënat e kartave apo llogarive bankare përmes mesazheve të tilla.
Postimi i plotë
Vijojnë fushatat e mashtrimit përmes mesazheve SMS. Policia e Shtetit apelon: Mos vendosni të dhënat tuaja bankare në faqe të dyshimta! Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka evidentuar fushata të reja mashtrimi përmes mesazheve SMS (smishing), të cilat po u dërgohen qytetarëve duke përdorur në mënyrë të rreme emërtimet e institucioneve dhe shërbimeve publike shqiptare.
Këto fushata vijnë në vijim të rasteve të evidentuara më parë, ku autorët, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si institucione bankare, kanë tentuar të mashtrojnë qytetarët përmes faqeve të falsifikuara të internetit, me qëllim përvetësimin e të dhënave të tyre personale dhe bankare. Nga monitorimi i fundit janë evidentuar mesazhe që paraqiten në emër të:
* Bashkisë Tiranë / Shërbimit të Parkimit, duke pretenduar ekzistencën e tarifave të papaguara të parkimit;
* DPSHTRR-së, duke njoftuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe gjoba të papaguara;
* Postës Shqiptare, duke pretenduar se qytetarët duhet të përditësojnë adresën për të mundësuar dorëzimin e pakove postare.
Në këto raste, mesazhet përmbajnë lidhje elektronike (linke), të cilat i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara të internetit, që imitojnë faqet zyrtare të institucioneve përkatëse. Qëllimi i këtyre fushatave është mashtrimi i qytetarëve për të siguruar të dhënat e tyre personale dhe bankare, përfshirë numrin e kartës bankare, datën e skadencës, kodin e sigurisë (CVV/CVC) dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe përvetësimin e parave nga llogaritë bankare. Autorët përdorin njoftime për detyrime të papaguara, afate të shkurtra kohore apo probleme me dërgesat postare, duke krijuar ndjesinë e urgjencës për t’i nxitur qytetarët të veprojnë pa verifikuar vërtetësinë e mesazheve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:
* Mos klikoni në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, pavarësisht institucionit në emër të të cilit paraqiten.
* Mos vendosni të dhënat e kartave bankare, kodet CVV/CVC apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve.
* Verifikoni çdo njoftim për pagesa gjoba
