Denoncimi i qytetares Alidie Troka ishte rasti i radhës i trajtuar në emisionin “Stop”, këtë të hënë, më 9 nëntor, në lidhje me problemin e faturimit të ujit në një apartament, që qytetarja kishte në pronësi në Vlorë.
Që prej vitit 2013, ajo kishte kaluar kontratën e ujit dhe të energjisë elektrike në emër të së motrës, e cila banonte në këtë shtëpi, ndërsa të gjitha faturat ishin paguar rregullisht.
Më pas, Alidia vendosi ta shiste apartamentin, por edhe dy vite pas shitjes, faturat e ujit vazhdonin të dilnin njëkohësisht në emrin e saj dhe të pronares së re.
Si pasojë, në emrin e Alidie Trokës rezultonte një detyrim prej 800 mijë lekësh të vjetra, pavarësisht, se ajo pretendon, se nuk kishte asnjë faturë të papaguar.
Pavarësisht ankesave të përsëritura, nuk kishte marrë zgjidhje. Pas ndërhyrjes së “Stop”, përgjegjësi i njësisë konfirmoi, se ishte në dijeni të problemit dhe premtoi, se çështja do të zgjidhet brenda muajit.
—————————–
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje! Quhem Alidie Troka. Që nga viti 2013, pasi kishim një apartament në Vlorë, vendosëm të linim ca familjarët tanë të qëndronin te shtëpia jonë dhe, për të qenë më të qetë, emrin e llogarive të dritave dhe të ujit i hodhëm te motra ime, e cila banonte në shtëpinë time.
Motra ishte shumë e rregullt me llogaritë. I paguante drita, ujë, çdo gjë në rregull.
Shtëpia, si shtëpi, është e paguar. Çdokush, që ka ndenjur atje, llogaritë janë të paguara, qoftë i tjetrit, qoftë i motrës. Llogaritë janë shumë në rregull. Mbas dy vitesh, ne menduam, që nuk mund të jetonim dot edhe jashtë Shqipërisë, edhe brenda Shqipërisë dhe vendosëm ta shisnim apartamentin.
Vinin fatura të ujit edhe në emrin e zonjës, që bleu apartamentin, mbas dy vitesh, që zonja e kishte blerë apartamentin dhe jetonte, vinin akoma fatura edhe në emrin tim. Detyrimi ishte deri në 800 mijë lekë.
Po, jemi interesuar. Na thonë: “Jo këtë muaj, e dërguam në Tiranë në komision”, pastaj na thanë: “Jo, s’ka vajtur”. Pastaj na thanë: “Janë shumë veta si puna juaj, zonjë”, e gjëra të tilla.
Unë nuk mund të jetoj 10 vjet me ankthin, që unë t’i kem një borxh shtetit, ndërkohë që unë s’i detyrohem asgjë shtetit. Jam shumë në rregull me detyrimet. Po t’i detyrohesha, jam dakord të paguaja çdo gjë, po unë nuk i detyrohem gjë. Ato janë për gabimet e tyre.
Prandaj kërkoj ndihmën e emisionit “Stop”, që të marr zgjidhje. Ju lutem, më ndihmoni!
/Emisioni STOP














