Skandal në Tiranë, vezët femërore shiten për 1 mijë euro
Zbulohet skema e paligjshme të klinikave të fertilizimit
Klinika në Tiranë zhvillojnë aktivitetin e shitjes së vezëve femërore kundrejt pagesës. Fiks Fare zbulon se si funksionon rrjeti dhe si realizohet tregtia e paligjshme në klinika fertiliteti në Tiranë.
Rrjetet sociale gjithmonë e më shumë përdoren për të reklamuar produkte shërbime apo për të shitur.
Në rrjetin social TikTok, Fiks Fare zbuloi një faqe të quajtur EGG (Vezët) e cila reklamonte shitjen e vezëve femërore kundrejt pagesës 1000 euro.
Fillimisht gazetarët e Fiksit komunikuan me mesazhe për të shprehur interesin. Faqja në Tik Tok kërkoi të dhënat si emri, mosha, gjatësia, ngjyra e syve, pesha, grupi i gjakut, dhe mbi të gjitha theksoi se nevojitet pasja e aplikacionit Telegram. Pas bisedave të para në TikTok, komunikojmë në Telegram, ku na kërkohet data e fillimit dhe mbarimit të ciklit menstrual, dhe sigurohemi për pagesën prej 1000 euro për individët me pasaportë shqiptare. Në fund, në bisedat në telegram se pagesa do të bëhet ditën e dhurimit, dhe do na kontaktojë koordinatorja e spitalit.

Fill pas kësaj në telefonin e gazetares mbërrin një mesazh nga koordinatorja e Turkish International Hospital, e quajtur Lira.
Fiks Fare shkoi në ambientet e spitalit i cili ndodhet në zonën e Bllokut. Koordinatorja na shpjegon se fillimisht vajza do ti nënshtrohet analizave si grupi i gjakut, entromentoza etj dhe një vizitë mjekësore gjinekologjike, ku do të vlerësohet nëse mund të bëhet dhurimi i vezëve. Ato duhet të jenë të shëndetshme pasi do të dhurohen për lindjen e një bebi. Pagesa bëhet kesh nga spitali, pohon koordinatorja.

Menjëherë pas kësaj gazetarja e Fiksit shkon të përballet me koordinatoren e Turkish International Hospital për ta pyetur për tregtinë që bëhet me shitjen e vezëve kundrejt pagesës.
Zonja Lira mohon procedurën dhe justifikohet duke thënë ”e kam pyetur vajzën si i beson TikTok” e më pas mbyllet në zyrë duke refuzuar të japë sqarime.
Por a është vetëm Turkish International Hospital që kryen këtë aktivitet të paligjshëm në Shqipëri?

Fiks Fare shkoi edhe në një nga klinikat gjinekologjike më te njohura në Tiranë.
Klinika Glozheni.
Fillimisht një mjek pohon pagesën 1000 euro dhe se duhen ndjekur mjekimet e duhura.
Gjatë vizitës mjekësore mjeku Elko Glozheni pohon se vajza fillimisht duhet ti nënshtrohet analizave për të parë nëse është në kushtet e duhura për këtë procedurë, e më pas e drejton gazetaren e Fiksit në laborator për të bërë analizën.
Pas investigimit, Fiks Fae shkoi në klinikën Glozheni për tu përballur me mjekun Elko Glozheni.
Ai deklaron se duhet të dalim jashtë më te mirë, që mos të çohet. “Nuk shet njeri vezë”- pohoi doktori pa sqaruar se përse paguhen 1000 euro për dhurimin.

Paratë mund të jenë një zgjidhje e shpejtë për vajzat që ndodhen në vështirësi financiare, por a janë të vetëdijshme për atë çfarë u kërkohet për të përfituar këto para?
Fiks Fare iu drejtua me kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me procedurën e dhurimit të vezëve femërore kundrejt pagesës.

Në përgjigjen e kthyer Ministria e Shëndetësisë sqaron se sipas nenit 6, pika 1 të ligjit 10454 të datës 21.07.2011 “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe organeve me origjinë njerëzore për qëllim transplanti, ndalohet për përfitime financiare.
Për rrjedhojë shitja blerja e ovociteve femërore nuk lejohet në Republikën e Shqipërisë.
Fiks Fare dokumentoi me zë dhe figurë, se si ky aktivitet i paligjshëm zhvillohet në zemër të Tiranës në klinikat më të njohura./FiksFare
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



