E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Policia ngre alarmin: Kujdes nga mesazhet mashtruese, mund ta pësoni rëndë
Lajme

Policia ngre alarmin: Kujdes nga mesazhet mashtruese, mund ta pësoni rëndë

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një tjetër valë mashtrimesh në internet, ku autorët përdorin mesazhe SMS duke u paraqitur në mënyrë të rreme si institucione publike shqiptare. Përmes lidhjeve të dërguara në telefonat e qytetarëve, ata synojnë të marrin të dhënat personale dhe bankare, për të kryer më pas transaksione të paautorizuara.

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka evidentuar disa skema të reja të njohura si “smishing”, ku qytetarët njoftohen për detyrime të papaguara, gjoba apo probleme me dërgesat postare.

Mesazhet janë ndërtuar në mënyrë që të krijojnë besimin se vijnë nga institucione zyrtare. Në rastet e konstatuara, mashtruesit kanë përdorur emrat e:

  • Bashkisë Tiranë dhe Shërbimit të Parkimit, duke pretenduar se qytetarët kanë tarifa parkimi të papaguara.

  • DPSHTRR-së, përmes njoftimeve të rreme për shkelje të qarkullimit rrugor dhe gjoba të pashlyera.

  • Postës Shqiptare, duke kërkuar përditësimin e adresës për të mundësuar dorëzimin e një pakoje.

Në secilin prej këtyre rasteve, mesazhet përmbajnë një link që i drejton përdoruesit në faqe të falsifikuara, të krijuara për të imituar platformat zyrtare të institucioneve.

Si vidhen paratë nga llogaritë bankare?

Pasi qytetarët klikojnë lidhjen, atyre u kërkohet të plotësojnë të dhënat e kartës bankare, përfshirë numrin e saj, datën e skadencës dhe kodin e sigurisë CVV/CVC. Në disa raste kërkohen edhe kodet e verifikimit, të cilat mund t’u japin autorëve mundësinë të kryejnë pagesa dhe transaksione pa autorizimin e mbajtësit të kartës.

Për të nxitur reagimin e menjëhershëm, mashtruesit përdorin gjuhë alarmuese, duke vendosur afate të shkurtra për pagesën e gjobave ose duke paralajmëruar probleme me dërgesat postare. Kjo taktikë synon t’i bëjë qytetarët të veprojnë me nxitim, pa kontrolluar nëse mesazhi është autentik.

Sipas Policisë së Shtetit, këto skema vijojnë rastet e mëparshme, kur persona të paidentifikuar janë paraqitur në mënyrë të rreme si përfaqësues të bankave për të përvetësuar informacionin financiar të qytetarëve.

Apeli i Policisë: Mos klikoni dhe mos jepni të dhënat bankare

Për të shmangur rënien pre e këtyre mashtrimeve, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të mos hapin lidhje të dyshimta të mbërritura përmes SMS-ve, pavarësisht institucionit që pretendohet se i ka dërguar.

Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos vendosin të dhënat e kartave bankare, kodet CVV/CVC apo kodet e verifikimit në faqe të hapura nga këto mesazhe.

Çdo njoftim për gjoba, detyrime financiare apo dërgesa postare duhet të verifikohet përmes kanaleve zyrtare të institucionit përkatës, pa përdorur lidhjet e përfshira në SMS.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.