Gazetari Basir Çollaku ka komentuar në një intervistë në News24 regjistrimin e procedimit penal nga SPAK për dosjen “Albanian Files”, duke ngritur pikëpyetje mbi komunikimet e kryeministrit Edi Rama me arkitektë të huaj dhe projektet e parashikuara për prona publike.
Sipas Çollakut, komunikimet e publikuara tregojnë se Rama u ka dhënë porosi arkitektëve për ndërhyrje në prona publike, ndërsa ai e konsideron këtë një çështje që kërkon hetim të thelluar.
“Shqipëria nuk është bahçja e kryeministrit. Është para që qarkullon”, u shpreh gazetari, duke shtuar se disa prej arkitektëve të përfshirë në këto projekte dyshohet se kanë pasur lidhje me biznese gri apo të zeza në Shqipëri.
Çollaku ngriti gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si po trajtohen nga drejtësia çështjet që lidhen me kryeministrin, duke përmendur edhe dosjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Ai pretendoi se, pavarësisht kalimit të disa viteve, personat që përmenden në padinë përkatëse nuk janë thirrur për të dëshmuar.
Gazetari foli edhe për porositë që, sipas tij, Rama i ka dhënë Belinda Ballukut lidhur me tenderat publikë, duke pretenduar se në komunikime shfaqen udhëzime për favorizimin e subjekteve të caktuara.
Në fund, Çollaku u ndal te komunikimet e zbuluara nga aplikacionet e koduara SKY ECC dhe EncroChat. Ai paralajmëroi se, sipas tij, zbardhja e materialeve të tjera mund të nxjerrë në pah lidhje mes personave të përmendur në komunikimet e ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe aktorëve në Shqipëri.













