Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ SPAK, seksioni i Surrelit. Prova!

Grabitësi i bankave me skuter/ Albert Duka: Lekët i lashë në kazino, 6 mijë € shlyeva borxhet në Vlorë

Grabitësi i bankave me skuter/ Albert Duka: Lekët i lashë në kazino, 6 mijë € shlyeva borxhet në Vlorë

21:41, 09/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Elton Qyno-SYRI.net

Një seri përgjimesh telefonike, të ndërthurura edhe me prova të tjera, si analizimi i pamjeve filmike dhe i makinës së marrë me qira, kanë çuar policinë kriminale të Tiranës të identifikojë dhe arrestojë mbrëmjen e djeshme autorin e dy grabitjeve të bankave në Tiranë, Robert Duka.

Robert alias Albert Duka, pjesën më të madhe të eurove dhe parave, prej gati 120 mijë eurosh të vjedhura në dy filialet e bankave ‘OTP Bank’ dhe ‘Raiffeisen Bank’, dyshohet se i ka lënë në disa kazino të Tiranës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se një shumë prej 6 mijë eurosh, Duka mësohet se ua ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, ku secilit i ka dorëzuar nga 3 mijë euro.

Tashmë, shuma prej 6 mijë eurosh që ai ua ka dorëzuar dy personave është sekuestruar nga policia, pas kontrolleve që ka kryer policia e Tiranës në Vlorë.

Në pyetje janë marrë edhe dy personat, të cilët kanë deklaruar se eurot ua ka dhënë Robert Duka, pasi, sipas tyre, ai ua kishte pasur borxh dhe më pas ua ka kthyer. Kurse në banesën e Robert alias Albert Dukës, policia kriminale arriti të sekuestrojë vetëm 2200 euro.

Gjatë komunikimit me oficerët, Albert Duka u ka treguar këtyre të fundit se lekët dhe eurot që kishte vjedhur në dy bankat, në datat 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026, i kishte harxhuar duke luajtur në disa kazino në Tiranë.

Për të verifikuar pretendimet e tij, policia dhe prokuroria mësohet se ditën e sotme u kanë kërkuar informacion katër kazinove të njohura në Tiranë, nëse Albert Duka ka qenë klient i regjistruar dhe, në rast se po, t'u vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe pamjet filmike.

Por pretendimet se shumat financiare i ka luajtur në kazino, Robert Duka nuk i ka dhënë me procesverbal, por këto thënie ai i ka dhënë gjatë komunikimit me punonjësit e policisë dhe prokurorin e çështjes.

Deklarim me procesverbal Robert Duka mësohet se nuk ka dhënë, pasi nuk është lejuar nga avokati i zgjedhur.

Në pyetje lidhur me këtë çështje është marrë edhe bashkëshortja e Robert Dukës, një punonjëse pranë një banke të nivelit të dytë në Tiranë, e cila ka deklaruar se shumën prej 120 mijë eurosh e kishin fituar nga shitja e një apartamenti në zonën e stadiumit ‘Air Albania’.

Gruaja ka pohuar në polici se nuk kishte pasur asnjë dijeni që bashkëshorti i saj kryente grabitjen e bankave. Pas dhënies së deklarimeve, gruaja e Dukës është lënë e lirë. Ndërsa bashkëshorti i saj është arrestuar për ‘Grabitje me armë të bankave’, vepër penale kjo që parashikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim.

Pritet që ditën e nesërme, Albert Duka të dalë para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurisë ‘Arrest në burg’. Ndërsa hetimet vijojnë, pasi tashmë policia dhe prokuroria e Tiranës janë duke kryer veprime për të mësuar bashkëpunëtorët e Albert Dukës në këto dy grabitje, pasi një person i dytë dyshohet se e ka larguar me makinë gjatë episodit të grabitjes së datës 2 qershor 2026 në ‘OTP Bank’.

Mënyra e realizimit të grabitjes së bankës ‘Raiffeisen Bank’ ka ngjashmëri me atë që ndodhi në rastin e ‘OTP Bank’.

Sipas hetuesve, të dy grabitjet kanë ndodhur në datën 2. Më 2 qershor 2026, Albert Duka, i maskuar, ka mundur të hyjë shumë shpejt në ambientet e bankës ‘OTP Bank’ dhe, pasi ka vjedhur nën kërcënimin e armës një shumë monetare, është larguar nga zona ku ndodhej banka përmes një monopatine elektrike.

E njëjta siluetë është shfaqur edhe më 2 nëntor 2026 në ambientet e ‘Raiffeisen Bank’, ku Albert Duka, i maskuar, përmes kërcënimit me armë, që në dukje shihet si pistoletë, ka hyrë në ambientet e brendshme të bankës, duke arritur të vjedhë një sasi monetare nga arka.

Ai ka përdorur të njëjtën skemë si ajo që ndodhi në rastin e ‘OTP Bank’, duke u larguar shumë qetësisht përmes një monopatine elektrike. Pas një distance, ai e fuste patinën elektrike në një makinë që merrte me qira dhe largohej, duke shmangur policinë.

Duka më parë ka qëndruar në Greqi, ku në këtë shtet ka kryer 26 grabitje me armë të bankave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco