Publikimi i bisedës mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrit Toni Gogu ka shkaktuar debat në studion e emisionit “Now” në Euronews Albania. Gazetari Bledian Koka ngriti dyshime mbi arsyet që mund ta kenë shtyrë Veliajn të bëjë publike komunikimin, duke lënë të kuptohet se mesazhi që ai priste të merrte gjatë qëndrimit në burg nuk ishte ai që i kishte mbërritur. “Veliaj priti një mesazh tjetër në burg dhe i erdhi një tjetër”, u shpreh Koka, duke vënë në pikëpyetje komunikimin që mund të ketë ndodhur përmes ministrit Gogu.
Debati u zhvendos më pas te drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe mundësia që Veliaj të delegojë përgjegjësitë e tij te një tjetër person. “A mendoni se në këtë pikë Veliaj duhet t’ia delegojë detyrën dikujt tjetër?”, iu drejtua Koka deputetit socialist Erjon Malaj. Në përgjigjen e tij, Malaj pranoi se funksionimi i kryeqytetit në rrethanat aktuale paraqet problematika, por nënvizoi se mandati i Veliajt buron nga vota e qytetarëve.
“Qyteti nuk po funksionon në këtë formë, kjo është e dukshme, por votat që ka marrë nga socialistët i kanë dhënë këtë përgjegjësi. Ne nuk mund të komentojmë vendimet e drejtësisë”, deklaroi Malaj. Përplasja në studio riktheu në vëmendje debatin mbi ushtrimin e funksioneve të kryebashkiakut në kushtet e situatës së tij gjyqësore dhe përgjegjësinë për vijimësinë e administrimit të Tiranës.
