Logu: Studentët e bënë punën e tyre, prindërit duhet të kishin dalë në protestë

Politikë | 5 minuta më parë

Avokati Besart Logu ka komentuar protestat studentore dhe rolin e Partisë Demokratike në mbështetjen e tyre, duke deklaruar se protesta duhej të merrte përmasa më të gjera dhe të kthehej në një revoltë popullore.

I pyetur nëse Partia Demokratike po përpiqet të marrë nën kontroll protestën e studentëve, Logu mohoi se qëllimi i opozitës është kapitalizimi politik i saj. Ai theksoi se PD ka qenë e pranishme që në ditët e para, përmes strukturave rinore dhe studentore.

“Partia Demokratike nuk ka shkuar në protestë për qëllime kapitalizimi të saj në funksion të interesave partiake. Partia Demokratike ka qenë në rreshtin e fundit të protestës”, u shpreh Logu.

Në emisionin “3D nga Alban Dudushi” në RTSH, avokati theksoi se studentët e kanë përmbushur misionin e tyre me qëndresën disa ditore, ndërsa sipas tij, në protestë duhej të përfshiheshin edhe prindërit dhe qytetarët e tjerë.

“Në vlerësimin tim personal, ajo protestë do të duhej të ishte kthyer në revoltë popullore. Studentët, të rinjtë e bënë punën e tyre. Shtatë ditë, tetë ditë prezencë intensive. Do të duhej të dilnin prindërit e tyre, do të duhej të dilnin baballarët, do të duhej të dilnin madhorët në protestë”, deklaroi avokati.

Sipas Logut, Partia Demokratike është pjesë e protestës edhe për të përfaqësuar prindërit dhe të rinjtë që, sipas tij, nuk mund të dalin për shkak të presionit të pushtetit.

“Partia Demokratike është aty për të përfaqësuar vullnetin e çdo prindi, studenti, të riu, të rrahur, i cili nuk del dot në protestë për shkak të represionit që i bën ky pushtet”, tha ai.

Logu pranoi gjithashtu se protesta ka nevojë për një organizim dhe përfaqësim më të qartë, duke argumentuar se në mungesë të një strukture të tillë, ajo rrezikon të përvetësohet nga aktorë të ndryshëm politikë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme