Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet e naftës bien në nivelin më të ulët të 10 javëve


Çmimet e naftës ranë ndjeshëm të hënën, duke arritur nivelin më të ulët të 10 javëve, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se ishte “shumë pak e mundshme” që SHBA-ja të rifillonte sulmet ndaj Iranit.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, ra deri në 5,6 për qind, në 92,80 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që prej 1 shtatorit, ndërsa tregtarët vlerësonin mundësinë e një përfundimi të negociuar të konfliktit. Më vonë, ajo tregtohej me rreth 94,50 dollarë për fuçi, shkruan FT.

Nafta West Texas Intermediate (WTI), standardi amerikan, ra me 3 për qind, në 84 dollarë për fuçi.

Trump i tha CNN-së të dielën se vendimi nëse do të rifillonin apo jo sulmet ndaj Iranit do të varej nga “nëse ata nënshkruajnë apo jo një marrëveshje shumë të fortë… Përgjigjja është se është shumë pak e mundshme që kjo të jetë e nevojshme”.

“Trump duket qartë se preferon një zgjidhje diplomatike”, tha Arne Rasmussen, kryeanalist në kompaninë Global Risk Management. Ai shtoi se, megjithëse mes dy palëve vazhdonte të kishte një hendek të konsiderueshëm, çmimet e naftës kishin reaguar ndaj ndryshimit të pritshmërive.

Rënia e çmimeve të hënën vijon shitjet masive në tregun e naftës, të nxitura nga humbja historike e republikanëve në zgjedhjet afatmesme të javës së kaluar në SHBA. Javën e kaluar, nafta Brent regjistroi rënien më të madhe javore që nga prilli i vitit 2020.

“Rezultatet e zgjedhjeve afatmesme në SHBA e bënë të qartë se votuesit duan që lufta me Iranin të përfundojë dhe tregu i naftës duket se mendon se [Trump] do të respektojë vullnetin e popullit”, shkruan në një analizë Amrita Sen dhe Daniel Sternoff, analistë të kompanisë Energy Aspects.

Megjithatë, ata shtuan se Irani nuk ka gjasa t’i ofrojë Trumpit lëshime të reja, pasi udhëheqësit e tij e dinë se Kongresi mund të nisë përpjekjet për të shkurtuar fondet për luftën brenda pak muajsh.

Nafta Dated Brent, çmimi i naftës fizike në Evropë për dorëzim të menjëhershëm, ka rënë më shumë se çmimet e kontratave të së ardhmes, si rezultat i uljes së kostove të transportit detar. Të hënën, ajo tregtohej me 92,25 dollarë për fuçi, duke e bërë më të lirë se nafta që do të dorëzohet në janar.

Nafta Dated Brent arriti kulmin prej 136,39 dollarësh për fuçi më 5 tetor, kur kontratat Brent për muajin e ardhshëm tregtoheshin me 103,40 dollarë. Rënia e saj ka bërë që lënda e parë për rafineritë evropiane të kushtojë më pak.

Ndërkohë, sulmet ndaj transportit detar në Lindjen e Mesme kanë vijuar, duke nënvizuar rreziqet për furnizimin me naftë, pavarësisht perspektivës më pozitive diplomatike që perceptojnë tregtarët.

Agjencia britanike UK Maritime Trade Operations njoftoi se një cisternë nafte në Ngushticën e Hormuzit – rrugë ujore jetike që lidh Gjirin me tregjet globale – u godit të shtunën nga një predhë me origjinë të panjohur. Sipas agjencisë, një tjetër cisternë u godit të enjten e kaluar, teksa po dilte nga Gjiri.