VIDEO/ Shkullaku: Ka ndryshuar klisheja e mediave ndërkombëtare për Ramën, nga ekzotik po shihet si despotik

22:03, 09/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, komentoi ndryshimin e mënyrës se si mediat ndërkombëtare e paraqesin kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se imazhi i dikurshëm i artistit që i dha ngjyra Tiranës dhe i politikanit që mahniti liderët europianë po zëvendësohet nga një vëmendje më kritike ndaj qeverisjes së tij.

Sipas Shkullakut, për një kohë të gjatë reportazhet dhe intervistat për Ramën në mediat e huaja ndërtoheshin mbi një klishe që e paraqiste atë si një figurë të veçantë në Ballkan. Por, sipas tij, kjo qasje ka ndryshuar, ndërsa në raportimet ndërkombëtare kanë nisur të trajtohen edhe problematika të rënda të Shqipërisë.

Gazetari solli në vëmendje disa përballje të kryeministrit me gazetarë të huaj, përfshirë intervistën për Rai 3, atë me gazetarin e CNN-it dhe një tjetër intervistë të zhvilluar gjatë kohës së flamingove. Sipas tij, këto raste tregojnë se Rama nuk e përballon dot kritikën dhe pyetjet që lidhen me çështje të vështira për qeverisjen e tij.

Shkullaku u ndal edhe te intervista e fundit e kryeministrit me gazetarin e Channel 5, duke thënë se Rama mund të ketë menduar fillimisht se po intervistohej nga Channel 4, një media me profil tjetër. Sipas tij, gazetari pati mundësinë ta mbante gjatë intervistën dhe të drejtonte pyetje që më pas do të përdoreshin në montazhin përfundimtar.

‘Unë po them që ne na ka ndryshuar klisheja ndërkombëtare për Edi Ramën. Pra, sa herë na kanë bezdisur në reportazhet apo intervistat që fillonin: ‘Ishte artisti që sot ushtron ministrin’, në studiot me tituj të rrë... ‘Ky njeriu që i dha ngjyra Tiranës’, ‘Në Ballkanin e errët shfaqet një rreze drite’, ‘Ish-basketbollisti me atletet e tij ku zbret shkallët, ku ngjit shkallët’, ‘Ky që mahniti Macronin e ku e di unë, çmendi Melonin’.

Ka disa kohë që kjo histori ka ndryshuar. Kanë ndryshuar fillimisht reportazhet për Shqipërinë. Pra, është folur për disa gjëra të rënda për Shqipërinë, që s’ta merrte mendja ne që do të thuheshin një ditë. Dhe sot, Edi Rama është përballë një mediaje ndërkombëtare shumë më të vëmendshme ndaj Edi Ramës.

Mban mend çfarë i thoshte gazetarit të Rai 3? ‘Si guxon ti që merr nëpër gojë njerëz e ku e njeh ti, ç’është kjo që më flet ti mua për Engjëll Agaçin, ku e njeh ti atë?’ E mbani mend si ulëriti gazetari i CNN-it, që imitonte Trumpin e i bërtiste ‘pusho, pusho’. E mbani mend si u soll me gazetarin tjetër që e përmendi Bushati, që bëri intervistën gjatë kohës së flamingove? Edhe me këtë tjetrin.

Pra, këtu Rama është i njëjti. Pra, është i njëjti satrap që nuk duron dot një intervistë ku atij i tregohet e vërteta, ose pyetet për të vërtetat. Por deri tani, këtë pjesë të tij ai e kishte të kamufluar, për shkak se mediat e huaja e shikonin ndryshe.

Problemi është që Rama tashmë nga ekzotik po shikohet si despotik. Ky është ndryshimi që ka ndodhur dhe Rama, sa herë do të përballet me këtë, plus që është dhe në fazën që ka rrëshqitur, dhe çdo gjë i duket si një komplot, si një armiqësi. Kush e ka çuar, kush e ka bërë?

Pra, ai ka dhënë intervistë dhe, nëse s’gabohem, kur e ka nisur intervistën, mendonte që ky ishte Channel 4. Se njeh Channel 4-in e Britanisë së Madhe dhe ka menduar që është ndonjë kanal i madh. Ai çuni i Channel 5 quhet, në blogun e vet. Është si ta bëjmë ne tashmë një blogun tonë, e bëjmë intervista e themi, ku e di unë, TV1-shi. Dhe i ka dhënë intervistë një personazhi që ka pasur luksin dhe të rrijë gjatë dhe ta tallë si të dojë dhe t’i bëjë pyetje duke menduar montazhin që do të bënte mbrapa.

Kjo është e gjitha dhe kjo e ka nervozuar atë që ka ikur. Dhe nuk është hera e parë që po ikën. Rama, sa herë është ballafaquar me të vërtetën, qoftë me gazetarë shqiptarë, qoftë me të huaj, nuk... e ka humbur, nuk ka ditur të sillet si një lider që ka për detyrë të bëjë transparencë e të jetë i përgjegjshëm. Jo me gazetarin, jo me median, por me ata që e kanë votuar dhe me ata të cilët i kanë dhënë mandatin për të qeverisur.

Duhet t’u përgjigjesh pyetjeve, duhet të jesh... duhet të përballosh dhe kur reflektohen të vërtetat. Rama, sa herë është vendosur përballë së vërtetës, nuk ka duruar dot. Mbani mend që nga intervistat e para që i nxirrte Ylli Rakipi ato bisturitë e ndryshkura të spitalit. Që në rastin sa është përballë me një të vërtetë, sado të vogël, Edi Rama ka shkalluar.’, u shpreh gazetari Armand Shkullaku në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco