Avokati Ermal Hamataj ka komentuar transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet dhe procedurat e ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Sipas Hamatajt, ligji për të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve përcakton mënyrën se si kryhet transferimi nga një institucion i vuajtjes së dënimit në një tjetër. Ai tha se, duke qenë se Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe po përballet me një proces gjyqësor në SPAK, autoritetet duhet të kishin marrë parasysh edhe afërsinë me kryeqytetin.
Avokati ngriti gjithashtu pyetjen se përse u vendos transferimi në Fier, kur seancat gjyqësore zhvillohen çdo shtatë ditë dhe shteti do të duhej ta transportonte vazhdimisht nga Fieri në Tiranë.
“Veliaj është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe, që këtu, Drejtoria e Burgjeve duhet të siguronte që ai të qëndronte sa më afër Tiranës. E dyta, kemi të bëjmë me një person që po hetohet nga SPAK-u. Gjykata që e ka marrë të pandehur i zhvillon seancat çdo shtatë ditë. Pse duhej të futej shteti në një situatë të tillë, që çdo shtatë ditë ta transferonte nga Fieri në Tiranë? Çfarë arsyeje kishte?”, u shpreh Hamataj.
Ai pretendoi se Veliaj ishte familjarizuar së tepërmi me kushtet në burgun e Durrësit dhe se nuk respektonte autoritetin e drejtuesit të institucionit. Hamataj shtoi se vizitat e zyrtarëve të lartë në burgje nuk janë një rast i izoluar, duke përmendur edhe takime të ministrave dhe eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste në burgun e Durrësit.
“Unë mendoj se Veliaj në burgun e Durrësit ishte familjarizuar jashtë mase. Ai nuk pyeste për drejtorin e burgut. Mendoj se Veliaj ishte në konvikt atje në Durrës. Nuk është i vetmi Toni Gogu që ka shkuar në burgun e Fierit. Ka pasur vizita të tilla edhe në burgun e Durrësit, me eksponentë të tjerë të PS-së që kanë bërë burgun atje. Ka pasur ministra që kanë shkuar për takime. Madje, i kanë nxjerrë edhe jashtë, nëse doni ta dini. Nuk mund t’i tregoj emrat. Janë nxjerrë jashtë objektit të regjimit”, deklaroi avokati.
Hamataj e cilësoi transferimin një veprim të motivuar politikisht, duke ngritur edhe një tjetër pikëpyetje: nëse situata e krijuar mund të përdoret nga Veliaj në procese gjyqësore jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas tij, kryebashkiaku po trajtohet si i burgosur politik dhe vizita e ministrit Toni Gogu në burg mund të interpretohet si një përpjekje për të ushtruar presion në emër të kryeministrit.
“Shkeljet në rastin e Veliajt janë thjesht një tekë e Ramës, nuk ka sekret aty. Po sikur e gjitha kjo të jetë stisur për t’i ardhur në ndihmë Veliajt? Ai po trajtohet si i burgosur politik. Shkon ministri për presion në emër të kryeministrit. Për më pak se kaq, shtetas të tjerë kanë fituar azil politik jashtë Shqipërisë”, u shpreh Hamataj.
Avokati ngriti edhe mundësinë që qëndrimi i Veliajt në spitalin e Fierit të pasohet nga një procedurë për ndryshimin e masës së sigurisë. Ai tha se, në një rast të tillë, gjykata mund të urdhërojë një akt inspektimi dhe më pas të vendosë për zëvendësimin e masës, duke përfshirë edhe mundësinë e arrestit në shtëpi.
Në fund, Hamataj u ndal te vizita e ministrit Toni Gogu në burgun e Fierit, duke vënë në dyshim motivet e saj. Ai pretendoi se nuk ishte marrë asnjë masë ndaj drejtorit të burgut apo zyrtarëve të tjerë lidhur me ngjarjen.
“E mendoni se Toni Gogu është aq i paaftë sa të shkojë në orën 22:30 të natës te Veliaj dhe ky i fundit t’i bënte këtë gjëmë? Pra, ai po kryente një akt që mund të përdoret nga Veliaj. Kjo do të përdoret në gjyqet jashtë Shqipërisë, në Strasburg. Asnjë masë nuk është marrë ndaj drejtorit të burgut apo ndonjë zyrtari tjetër”, përfundoi avokati.
