Vendosni fjalën kyçe....

Greqia përuron komandën e operacioneve hapësinore ushtarake


Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, inauguroi zyrtarisht të hënën Komandën e re të Operacioneve Hapësinore të vendit, duke paraqitur planet për përdorimin ushtarak të satelitëve në fushën e mbikëqyrjes, inteligjencës dhe komunikimeve.

Dendias tha se Greqia synon të zhvillojë rrjetin e saj të satelitëve dhe sistemet përkatëse, me qëllim që të mos varet më nga ofruesit privatë të shërbimeve në vende të tjera, shruan Ekathimerini.

“Mësimi deri më tani ka qenë se hapësira është një dimension thelbësor në zhvillimin e operacioneve ushtarake”, tha ai gjatë një ceremonie në bazën ajrore të Dekelias, në veriperëndim të Athinës. “Shihni çfarë ndodhi kohët e fundit me komunikimet e Ukrainës, kur ajo humbi aksesin në kapacitetet hapësinore”.

Dendias tha se nuk është “një zgjidhje e pranueshme” që komunikimet ushtarake të Greqisë të varen nga një satelit që i përket një kompanie private të huaj.

“Deri më tani i kemi blerë këto shërbime nga të huajt dhe kjo, qartësisht, nuk është e mjaftueshme”, tha ai. “Është absolutisht e domosdoshme që inteligjenca e bazuar në satelitë të jetë pronë e Greqisë dhe të integrohet në sistemet [greke] të komandimit dhe kontrollit”.

Greqia ka siguruar muajt e fundit 16 satelitë optikë në orbitë të ulët, ndërsa Dendias tha se është planifikuar vendosja në orbitë edhe e gjashtë satelitëve të tjerë të vëzhgimit optik, të cilët do të garantojnë “një pasqyrë të menjëhershme të situatës operacionale”.

Ai shtoi se, ndërsa Atika është përzgjedhur për të pritur një nga dy nyjet evropiane të planifikuara për komunikime të sigurta qeveritare, së shpejti do të sigurohet edhe një sistem ekuivalent komunikimi ushtarak i bazuar në satelitë.

“Kjo është një domosdoshmëri absolute kombëtare”, tha Dendias. “Pa të, në kohë krize, vendi ynë do të përballet me probleme të jashtëzakonshme”.

Dendias ka udhëhequr gjithashtu një program për zhvillimin e industrisë vendase të dronëve ushtarakë.