Si u mburrej izraelitëve për Ergys Agasi për Vlora Hysenin,
“Shefen e shërbimit sekret e kam shoqe të ngushtë”
Policia Shkencore komprometohej me darka
Hetimet e SPAK për lidhjet mes ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi po nxjerrin në dritë detaje të tjera mbi marrëdhëniet e tij me zyrtarë të institucioneve shtetërore, komunikimet me shtetas të huaj dhe mënyrën se si dyshohet se përdorte kontaktet e tij në nivelet e larta të administratës.
Materialet e administruara gjatë hetimit përmbajnë komunikime që përfshijnë jo vetëm Hysenin, por edhe drejtues të tjerë të institucioneve ligjzbatuese. Në një prej episodeve të dokumentuara në dosje shfaqet Fatjon Kalluci, shefi i Policisë Shkencore, i cili i kërkon Agasit të organizojë dreka dhe darka për kolegët e tij. Ndërkohë, në një tjetër pjesë të hetimit, biznesmeni shfaqet duke u mburrur para kontakteve izraelite për marrëdhënien e afërt me drejtuesen e shërbimit sekret shqiptar.
Darka për kolegët e Policisë Shkencore, mesazhet që zbuluan komunikimet me Agasin
Sipas komunikimeve të rikuperuara nga memoria e telefonit iPhone 17 të Agasit, Fatjon Kalluci nuk i kërkonte biznesmenit vetëm ndihmë për veten, por edhe për kolegët e tij. Në bisedat e zbardhura, ai i drejtohet Agasit duke i kërkuar mundësinë për të organizuar një drekë për disa persona, të cilët, sipas mesazhit, ishin ankuar se ishin lënë pas dore.
Në komunikimin mes tyre, Kalluci shkruan:
-
“O vlla, si je?”
-
“O vlla, ore, shih njëherë vetë mundësinë, nëse ke ndonjë të verdhë këto ditë, t’u jap ndonjë drekë këtyre shokëve, se edhe qepare ma hodhën me kunjë: ‘Na harrove fare ai shoku’.”
-
“O vlla.”
-
Missed voice call
-
Missed voice call
-
“O vlla, çfarë bëre, si je, a ke ndonjë lajm?”
-
“Sot do t’i kem për darkë në Durrës ata shokët.”
Përmbajtja e këtyre mesazheve ngre pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes biznesmenit dhe drejtuesve të strukturave shtetërore, veçanërisht për mënyrën se si kërkoheshin dhe organizoheshin dreka apo darka për persona që, sipas komunikimeve, ishin kolegë të Kallucit.
Këto biseda janë pjesë e materialeve të sekuestruara nga telefoni i Agasit dhe përbëjnë një tjetër element që po shqyrtohet në kuadër të hetimeve për rrjetin e marrëdhënieve të biznesmenit me zyrtarë të institucioneve publike.
“Shefen e shërbimit sekret e kam shoqe të ngushtë”, Agasi ua tregonte lidhjen edhe kontakteve izraelite
Një tjetër episod me rëndësi në dosjen hetimore lidhet me komunikimet e Ergys Agasit me dy kontakte izraelite përmes aplikacionit Signal. Në këto biseda, biznesmeni përmend drejtpërdrejt marrëdhënien e tij me ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, duke e paraqitur atë si një person shumë të afërt me të.
Sipas dokumentacionit hetimor, më 22 gusht 2026, në orën 11:58 sipas kohës UTC, Agasi i ka dërguar një mesazh një personi të regjistruar në telefonin e tij me emrin “Sh… Isr…”.
Në gjuhën angleze, ai shkruante:
“Chef of secrets service is close friends with me”.
Përkthimi zyrtar i administruar në dosje është:
“E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Mesazhi është dërguar vetëm katër ditë përpara arrestimit të Agasit, më 26 gusht 2026. Në atë periudhë, ndaj biznesmenit ishte në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar që në dhjetor 2025.
Dokumentacioni gjyqësor nuk jep një shpjegim për arsyen konkrete pse Agasi zgjodhi t’ia prezantonte në këtë mënyrë marrëdhënien e tij me drejtuesen e inteligjencës shqiptare kontaktit izraelit. Megjithatë, komunikimi është marrë në shqyrtim nga gjykata në kuadër të vlerësimit të marrëdhënies mes biznesmenit dhe Hysenit.
Ky nuk është i vetmi rast kur Agasi ka folur për ish-drejtuesen e SHISH-it në komunikimet me shtetas të huaj. Një tjetër mesazh i kësaj natyre rezulton i dërguar më 6 gusht 2026, në orën 09:29 UTC, drejt një kontakti të regjistruar me emrin “S…. Ein… K…”.
508 komunikime mes Agasit dhe Hysenit, dhjetëra telefonata përmes Signal
Ekspertimi i dy telefonave iPhone 17 Pro të biznesmenit ka nxjerrë në pah një volum të konsiderueshëm komunikimesh mes tij dhe Vlora Hysenit. Sipas të dhënave të administruara në dosje, janë rikuperuar gjithsej 508 forma komunikimi për periudhën 28 qershor – 26 gusht 2026.
Materialet përfshijnë mesazhe, telefonata zanore, videotelefonata dhe shkëmbime materialesh të ndryshme.
Vetëm në aplikacionin Signal janë evidentuar 70 telefonata hyrëse nga Hyseni drejt Agasit dhe 17 telefonata në drejtimin e kundërt. Krahas tyre, në të dhënat e ekspertimit rezultojnë edhe telefonata të humbura, të papërgjigjura dhe të refuzuara.
Për identifikimin e numrit të përdorur nga ish-drejtuesja e SHISH-it, hetuesit janë mbështetur në verifikimet e kryera në aplikacionet Signal dhe Viber, si dhe në deklarimet e saj të datës 18 shtator 2026. Në këtë dëshmi, Hyseni ka pranuar se kishte komunikuar me Agasin deri në ditën e arrestimit të tij.
Një tjetër element që tërheq vëmendjen në dosje janë mesazhet ku Hyseni e informonte biznesmenin për takime me drejtues të institucioneve të rëndësishme, përfshirë Kryeministrin, kreun e Policisë së Shtetit dhe partnerë ndërkombëtarë.
Mesazhi për takimin me Skënder Hitën dhe porosinë e Kryeministrit
Në një komunikim të datës 19 gusht, duke iu referuar një takimi me drejtorin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Hyseni i shkruante Agasit:
“Skenderi me thirri me u taku te hënën … Te shpresojm qe ka porosit km…”
Ky komunikim është përfshirë në analizën e marrëdhënieve mes dy personave. Megjithatë, në arsyetimin e saj gjykata sqaron se nuk disponon informacion të mjaftueshëm për të përcaktuar se kujt apo cilës çështjeje i referohej porosia e përmendur në mesazh.
Për këtë arsye, komunikimi nuk mund të konsiderohet si provë se Kryeministri ka dhënë realisht një porosi apo ka ndërhyrë në ndonjë çështje konkrete.
Në vlerësimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, marrëdhënia mes Agasit dhe Hysenit nuk paraqitet thjesht si një njohje apo kontakt sporadik. Tërësia e komunikimeve dhe elementeve të tjera të administruara në dosje ka ngritur dyshime se biznesmeni mund të ketë përfituar nga pozicioni, mundësitë dhe kontaktet institucionale të ish-drejtueses së shërbimit sekret.
Në këtë kontekst, gjykata u referohet edhe mesazheve që Agasi u dërgonte kontakteve izraelite, ku ai e përshkruante Hysenin si shoqe të ngushtë dhe fliste për përfshirjen e saj në përpjekjet për të kundërshtuar veprimet e një prokurori.
Hyseni mohon dhënien e informacioneve nga SHISH, çfarë pretendon mbrojtja
Nga ana e saj, Vlora Hyseni ka deklaruar para hetuesve se Agasi i kishte ofruar bashkëpunim, por ka mohuar që biznesmeni të ketë marrë informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit nëpërmjet saj. Ajo ka mohuar gjithashtu zhvillimin e takimeve fizike me të.
Edhe mbrojtja ka kundërshtuar përdorimin e komunikimeve të Agasit me kontaktet izraelite si prova kundër ish-drejtueses së SHISH-it. Argumenti i paraqitur është se deklarimet e një personi të tretë për marrëdhëniet e tij me një zyrtare nuk përbëjnë, në vetvete, provë se kjo e fundit ka kryer veprime të kundërligjshme.
Megjithatë, Gjykata e Posaçme e Apelit i ka shqyrtuar këto komunikime në raport me provat e tjera dhe ka vlerësuar se ato mbështesin dyshimin e arsyeshëm për përkrahjen e Agasit gjatë periudhës kur ai i shmangej ekzekutimit të masës së sigurisë.
Më 4 nëntor 2026, Apeli la në fuqi ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete.
Ndërkohë, hetimi ndaj saj është zgjeruar edhe për dyshimet e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave, lidhur me transferta drejt kompanive gjermane ku dyshohet se janë përfshirë familjarë të saj.
Dyshimet për pagesa prej gjysmë milioni eurosh ndaj të afërmve të Hysenit
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me transaksionet financiare që dyshohet se kanë përfshirë persona të afërt me ish-drejtuesen e SHISH-it. Sipas të dhënave të bëra publike nga dosja, të afërm të Hysenit dyshohet se kanë përfituar rreth gjysmë milioni euro në pagesa të konsideruara të pajustifikuara, të kryera nga kompani shqiptare të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi.
Këto transaksione po shqyrtohen në kuadër të hetimeve për të përcaktuar origjinën e parave, arsyet e kryerjes së pagesave dhe nëse ato kanë pasur lidhje me përfitime të paligjshme apo marrëdhëniet mes personave të përfshirë.
Në këtë mënyrë, dosja Hyseni-Agasi po merr përmasa gjithnjë e më të gjera, duke përfshirë komunikime me drejtues të institucioneve shtetërore, kontakte me shtetas të huaj, dyshime për përdorim të ndikimit institucional dhe transaksione financiare që tashmë janë pjesë e verifikimeve të SPAK-ut.
Nga darkat e kërkuara për kolegët e Policisë Shkencore, te mesazhi ku Agasi mburrej se e kishte shoqe të ngushtë drejtuesen e shërbimit sekret, e deri te 508 komunikimet e rikuperuara nga telefonat e tij, hetimi po përpiqet të zbardhë natyrën e vërtetë të kësaj marrëdhënieje dhe përfitimet e mundshme që mund të jenë siguruar përmes saj.
Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, të gjithë personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



