Nga Maska.al
Ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë sapo përfunduan paradën e radhës me fjongo rozë në jakë, postime të kuruara në rrjete sociale dhe fjalime boshe për “ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit”, realiteti pas mureve të spitalit Onkologjik në QSUT është i zymtë dhe alarmant. Prej më shumë se një muaji, ky shërbim vuan mungesën totale të medikamentit jetik Phesgo (1200mg/600mg).
Shkaku është neglizhenca administrative dhe zvarritja burokratike.kontrata e mëparshme ka përfunduar që në fillim të muajit tetor, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ende nuk po finalizon procedurat për lidhjen e kontratës së re.
Për pacientet e prekura nga kanceri i gjirit agresiv (HER2-pozitiv), Phesgo ,një kombinim inovativ i Pertuzumab dhe Trastuzumab nuk është thjesht një medikament alternativ, por baza thelbësore e protokollit të mjekimit.
Mungesa e këtij bari prej katër javësh ka prodhuar pasoja të rënda klinike duke lene dhjetëra paciente të sapodiagnostikuara qe nuk po mund të nisin dot trajtimin në kohën e duhur biologjike. Për me teper ,per gratë me sëmundje të avancuar, çdo ditë vonesë përkthehet në progresion të pakthyeshëm të qelizave tumorale dhe ulje drastike të shanseve për jetën.
Çdo mjek onkolog e di mirë se në betejën me kancerin koha matet me orë, jo me muaj burokracie. Ndërprerja apo shtyrja e terapisë shkatërron efektin e trajtimit të mëparshëm dhe i jep sëmundjes terren të lirë.
Ironia më therëse qëndron pikërisht te përkimi kohor. Pikërisht përgjatë gjithë muajit tetor, kur institucionet bënin thirrje publike për zbulim të hershëm dhe diagnostikim, spitali kryesor terciar në vend nuk kishte në raft as medikamentin bazë për të trajtuar gratë që u bindën dhe u diagnostikuan.
Përse u kërkohet grave të bëjnë eko dhe mamografi, kur shteti dështon t’u sigurojë terapinë sapo marrin biopsinë pozitive? Fushata e këtij viti mbeti thjesht një fasadë marketingu institucional, e cila fsheh dështimin për të garantuar shërbimin më minimal dhe jetik shëndetësor.
Për shumicën dërrmuese të tyre, blerja private e një bari të tillë biologjik është e pamundur për shkak të kostove te pa perballueshme.
Ky nuk është një ngërç i thjeshtë administrativ por është cenim i drejtpërdrejtë i së drejtës për jetë. Ministria e Shëndetësisë ka detyrimin urgjent të dalin nga heshtja, të mbyllin procedurat pa asnjë ditë vonesë dhe të furnizojnë menjëherë Onkologjikun me Phesgo. Për pacientet në pritje, çdo ditë e humbur është një betejë më pak e fituar.mini












