Para nisjes së Forumit të Paqes në Paris, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit nga presidenti i Senatit të Francës, Gérard Larcher.
Në një postim për takimin, Kurti tha se i kishte shprehur Larcher mirënjohje për rolin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si edhe për mbështetjen që ajo vazhdon t’i japë zhvillimit të vendit.
Të lidhura
None found
Biseda përfshiu stabilitetin e plotë institucional dhe politik pas zgjedhjes së presidentes, përparimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kurti paraqiti gjithashtu planet e Qeverisë për mandatin e ri, me fokus te infrastruktura hekurudhore dhe sportive, ndërtimi i digave dhe industria e mbrojtjes. Palët shqyrtuan mundësi konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe angazhimin për reforma në drejtësi, arsim dhe administratë publike.
Kurti vuri në dukje se Kosova është plotësisht e përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Sipas tij, dhënia e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishin vendime të drejta dhe do të nxisnin përparimin e përgjithshëm. Ai e cilësoi të rëndësishme mbështetjen e Francës si në këtë proces, ashtu edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, që, sipas tij, do të ndihmonte paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën.






