Duket se pas gjithë debateve për ekonominë, qeveria ka gjetur më në fund mënyrën më bindëse për t'u treguar shqiptarëve se jeta do të bëhet më e lirë: Taulant Balla në supermarket, me shportë në dorë dhe me një mision historik për të na prezantuar uljen e çmimeve.
Në videon e publikuar prej tij, Balla shfaqet duke bërë pazarin e familjes pas një dite pune dhe na shpjegon se nga 1 janari 2027 çmimet e ushqimeve do të ulen falë reduktimit të TVSH-së nga 20% në 6%.
Një lajm i mrekullueshëm, aq sa për një moment njeriu mund të mendojë se nuk ka më nevojë të kontrollojë çmimet në rafte, të krahasojë supermarketet apo të bëjë llogaritë para se të mbushë shportën. Mjafton të presim janarin dhe të besojmë te magjia e TVSH-së.
Megjithatë, ka një detaj të vogël që duket se ka mbetur jashtë skenarit: ulja e TVSH-së nga 20% në 6% nuk do të thotë se çdo produkt në supermarket do të bëhet automatikisht 14% më i lirë. Përfitimi real për konsumatorët do të varet nga mënyra se si bizneset do ta reflektojnë këtë ulje në çmimet përfundimtare.
Deri atëherë, shqiptarëve u mbetet të shijojnë trailerin e kësaj mrekullie ekonomike, me shpresën që kur të shkojnë vetë në supermarket, të mos u duhet të kërkojnë Taulant Ballën mes rafteve për t'u bindur se çmimet kanë rënë.