Presidenti amerikan deklaron se vendet e Gjirit Persik preferojnë vazhdimin e bllokadës ndaj Iranit, ndërsa paralajmëron se Uashingtoni është i gatshëm të ndërhyjë nëse situata në Lindjen e Mesme ndryshon.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Irani nuk do të lejohet të pajiset me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë çështje si të panegociueshme.
Në një postim të publikuar pas një bisede me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, Trump bëri të ditur se diskutimet u përqendruan kryesisht te zhvillimet që lidhen me Republikën Islamike të Iranit.
Sipas presidentit amerikan, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Kuvajti dhe vende të tjera preferojnë ruajtjen e situatës aktuale, përfshirë vazhdimin e bllokadës detare dhe operacionin e ri ushtarak të quajtur “Iron Gate”.
Trump theksoi se Uashingtoni mbetet i përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm në rajon.
“Nëse do të ketë ndonjë ndryshim në zhvillimet në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe të përgatitura për të ndërhyrë”, shkroi ai, duke shtuar se për momentin një skenar i tillë duket pak i mundshëm.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pretendoi gjithashtu se Izraeli dhe pjesa tjetër e Lindjes së Mesme janë të mbrojtura nga kërcënimet iraniane.
Në përfundim të mesazhit të tij, Trump u shpreh optimist për ecurinë e zhvillimeve, duke deklaruar se po shihet një dinamikë pozitive drejt përfundimit të konfliktit.
Ai shtoi se administrata amerikane do të garantojë mbrojtjen e interesave të SHBA-së dhe se, pas përfundimit të angazhimit ushtarak, si populli amerikan ashtu edhe pjesa tjetër e botës do të jenë më të sigurt.
Reagimi i Trump:
“Pata një bisedë të shkëlqyer me Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, kryeministrin e Katarit, gjatë së cilës diskutuam gjerësisht për Republikën Islamike të Iranit.
Më e rëndësishmja është se Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Kuvajti dhe vende të tjera preferojnë ruajtjen e status quo-së, pra vazhdimin e asaj që e cilësojnë si bllokadën më të madhe detare në histori, si dhe operacionin e ri ‘Iron Gate’ (Porta e Hekurt) – si në tokë, ashtu edhe në det.
Të gjithë janë dakord se Irani nuk mund të pajiset me armë bërthamore. Kjo është e panegociueshme!
Nëse do të ketë ndonjë ndryshim në zhvillimet në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme dhe të përgatitura për të ndërhyrë.
Megjithatë, në këtë moment, një skenar i tillë duket mjaft i pamundur.
Izraeli dhe e gjithë Lindja e Mesme janë të mbrojtura nga rreziku dhe kërcënimet iraniane.
Po shohim një dinamikë pozitive drejt përfundimit të këtij konflikti dhe do të sigurohemi që interesat e Amerikës të mbrohen në çdo moment.
Në përfundim të këtij angazhimi ushtarak, populli amerikan dhe e gjithë bota do të jenë shumë më të sigurt.”
Presidenti DONALD J. TRUMP

© SYRI.net