“Punova dy muaj pa kontratë e siguracione, më larguan se dola 5 minuta të bleja diçka për të ngrënë”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 10.11.2026, 00:47

Një kameriere në Tiranë ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania mënyrën se si pretendon se është trajtuar nga pronarja e një lokali, ku kishte punuar për dy muaj me radhë. Përtej largimit të papritur nga puna, ajo ngre një tjetër problem që prek shumë punonjës në sektorin e shërbimeve: punësimin pa kontratë dhe pa sigurime shoqërore.

Sipas dëshmisë së saj, gjatë kësaj periudhe punonte tetë orë në ditë dhe paguhej 450 euro në muaj. Megjithatë, pavarësisht se paraqitej çdo ditë në punë dhe kryente detyrat e saj, marrëdhënia e punës nuk ishte formalizuar me kontratë dhe ajo nuk kishte pasur siguracione.

Situata që çoi në largimin e saj ndodhi pasi kamerierja u largua për rreth pesë minuta nga lokali për të blerë diçka për të ngrënë. Ajo pretendon se kishte njoftuar kolegen, e cila kishte qëndruar në vendin e punës, ndërsa pronarja nuk ndodhej aty në atë moment.

Por të nesërmen, kur u paraqit për të nisur turnin, sipas saj, pronarja i kërkoi të hiqte uniformën dhe të mos kthehej më. E gjithë kjo, pa një paralajmërim paraprak, pa një bisedë për atë që kishte ndodhur dhe pa mundësinë për të dhënë shpjegimin e saj.

Kamarierja thotë se nuk kishte dëshirë të largohej, pasi puna i pëlqente dhe kishte synuar të vazhdonte aty. Ajo nuk pretendon se nuk mund të kishte vërejtje për punën e saj, por kundërshton mënyrën e menjëhershme dhe, sipas saj, aspak korrekte të ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Megjithatë, çështja më shqetësuese në këtë denoncim mbetet fakti se për dy muaj një punonjëse ka deklaruar se ka punuar pa kontratë dhe pa sigurime. Një punëdhënës nuk mund të kërkojë korrektësi dhe përkushtim nga punonjësit, ndërsa vetë të mos përmbushë detyrimet që vijnë me punësimin e tyre.

Në sektorin e bareve dhe restoranteve, ku punonjësit shpesh përballen me orare të zgjatura dhe pasiguri, respekti nuk mund të mbetet vetëm një kërkesë që u bëhet kamerierëve. Ai duhet të nisë pikërisht nga mënyra se si bizneset i punësojnë dhe i trajtojnë njerëzit që mbajnë në këmbë aktivitetin e tyre.

Deri më tani kemi dëshminë e punonjëses dhe nuk kemi një reagim nga pala tjetër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit