Gjendet regjistruesi i zërit në kabinën e avionit që u rrëzua në Florida, mund të zbardhë momentet e fundit para tragjedisë
Hetuesit amerikanë kanë gjetur regjistruesin e zërit në kabinën e pilotëve të avionit privat Learjet 60, i cili u rrëzua më 1 nëntor në Florida, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord. (foto AP- Rebecca Blackwell)
Bëhet fjalë për një pajisje të rëndësishme për hetimin, pasi mund të ndihmojë në rindërtimin e bisedave mes pilotëve dhe të zbardhë se çfarë ndodhi në momentet e fundit të fluturimit, kur avioni u përball me turbulenca të forta dhe formimin e akullit në krahë.
Sipas Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB), regjistruesi u gjet në vendin e goditjes fillestare të avionit, në zonën e Greenacres, në Palm Beach County. Pajisja është transportuar në laboratorin e NTSB-së në Uashington, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve për të përcaktuar nëse të dhënat janë ruajtur dhe nëse mund të rikuperohen.
Nuk dihet ende nëse regjistruesi është dëmtuar nga përplasja. Megjithatë, eksperti i sigurisë së aviacionit, Jeff Guzzetti, i tha Associated Press se pamja e pajisjes në fotografitë e publikuara nga hetuesit sugjeron se ajo mund të jetë në gjendje relativisht të mirë.
“Është shumë e mundshme që informacioni në regjistrues të ketë mbijetuar. Nëse mund ta rikuperojnë dhe ai i përket fluturimit të aksidentit, do të jetë një ndihmë e madhe për hetuesit”, u shpreh Guzzetti.
Regjistruesi i zërit në kabinën e pilotëve (CVR) ruan komunikimet dhe tingujt brenda kabinës, duke u dhënë hetuesve mundësinë të kuptojnë reagimet e ekuipazhit dhe vendimet e marra gjatë fluturimit.
Një nga çështjet kryesore që po hetohet është përballja e avionit me kushtet e vështira atmosferike. Sipas komunikimeve me kontrollin ajror, bashkëpiloti kishte raportuar se avioni po goditej nga turbulenca që shkaktonin lëvizje vertikale prej më shumë se 700 këmbësh (rreth 213 metrash). Ajo kishte kërkuar gjithashtu një itinerar më të përshtatshëm për të shmangur kushtet e pafavorshme.
Fillimisht, ekuipazhi kishte raportuar se kishte përballuar akull të lehtë në sipërfaqen e avionit dhe turbulenca mesatare. Por situata u përkeqësua me shpejtësi, ndërsa pilotët kërkuan të ngjiteshin në një lartësi më të madhe.
Pak më vonë, ata njoftuan kontrollin ajror për një zbritje të pakontrolluar dhe shpallën emergjencën. Në komunikimin e fundit, njëra prej piloteve dëgjohet të thotë: “Do të përplasemi në tokë”.
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu pjesë të bishtit të avionit, përfshirë elementë të sistemit që kontrollon lëvizjen e tij vertikale, më shumë se 1.6 kilometra larg vendit kryesor të përplasjes. Ky zbulim përforcon dyshimet se avioni kishte nisur të shpërbëhej ende në ajër, përpara se të godiste tokën.
Learjet 60 ishte nisur nga Austin, Teksas, me destinacion Bahamas. Ai u rrëzua në një zonë të banuar pranë Greenacres, më 1 nëntor, duke vrarë dy pilotët dhe shtatë pasagjerët, mes tyre edhe një familje me dy fëmijë të vegjël.
Ndërkohë, NTSB ka njoftuar se puna e gërmimeve në vendin e përplasjes ka përfunduar. Hetimi do të vijojë me analizimin e regjistruesit, kontrollin e historikut të mirëmbajtjes së avionit dhe marrjen në pyetje të përfaqësuesve të kompanisë që operonte fluturimin, kontrollorëve ajrorë dhe personelit të aeroportit nga ku ishte nisur avioni.
Hetimet për aksidente të tilla zakonisht zgjasin 12 deri në 18 muaj, ndërsa në rastet më komplekse mund të kërkohet edhe më shumë kohë për përcaktimin e shkakut përfundimtar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




