Mbi 100 protestues paqësorë janë gjobitur nga Policia që prej miratimit të akteve normative të qeverisë, ndërsa shumë prej tyre janë shoqëruar në komisariate. Sipas një raportimi të BIRN, masat kanë ngritur shqetësime për cenimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të marrë pjesë në protesta.
Një nga rastet e dokumentuara është ai i Agron Jeminit, i njohur si “djali i flamurit” të protestave. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, katër persona me rroba civile shfaqen duke e ndaluar atë më 3 nëntor. Njëri prej tyre i merr flamurin e madh nga duart, ndërsa të tjerët e shoqërojnë drejt komisariatit.
“Kemi urdhër nga lart”, i kanë thënë policët Jeminit përpara se ta shoqëronin për pjesëmarrjen në protestën paqësore përpara Kryeministrisë.
Jemini i tha BIRN se u lirua pas disa orësh, duke marrë me vete një gjobë prej 5 mijë lekësh. Ai pretendon se deri tani ka marrë katër ose pesë gjoba dhe këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim që të justifikojë ndëshkimin.
Dy procesverbale të vëna në dispozicion të BIRN tregojnë gjoba prej 5 mijë lekësh secila. Në dokumentin e datës 3 nëntor, Policia pretendon se Jemini ka marrë pjesë në bllokimin e rrugës përpara Kryeministrisë, duke penguar qarkullimin dhe duke mos iu bindur urdhrave për t’u larguar. Megjithatë, në procesverbal nuk përshkruhet ndonjë veprim i dhunshëm nga ana e tij.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, deri në mesditën e së shtunës ishin vendosur 105 gjoba, me një vlerë totale prej 525 mijë lekësh. Masat janë marrë në bazë të Aktit Normativ nr. 5, të miratuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama më 28 tetor.
Përmes këtij akti, qeveria ndryshoi ligjin “Për tubimet”, duke zgjeruar kompetencat e Policisë për kufizimin e protestave dhe ndëshkimin e pjesëmarrësve, pavarësisht nëse janë përfshirë apo jo në akte dhune.
Krahas gjobave administrative, Policia ka proceduar penalisht edhe katër persona, mes tyre dy të mitur. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe aktivistët Edison Lika dhe Dritan Goxhaj, të cilët u shoqëruan me forcë më 4 nëntor, pasi, sipas Policisë, nuk iu bindën kërkesës për të paraqitur dokumentet e identifikimit.
Lika e kundërshton versionin zyrtar dhe e konsideron ndërhyrjen një përpjekje për të frikësuar protestuesit. Ai i tha BIRN se po ndihmonte dy të rinj të largoheshin nga bulevardi, pasi kishin frikë se mund të ndaloheshin dhe gjobiteshin nga Policia.
Sipas tij, efektivë me uniformë dhe civilë ishin vendosur me furgona në daljet e bulevardit dhe i ndaluan teksa po largoheshin. Lika pretendon se u shpjegoi policëve se protesta ishte e njoftuar dhe se nuk kishte pasur incidente, ndërsa identitetin ua tregoi përmes një fotografie në telefon.
Ai tha se qëndroi më shumë se dy orë në komisariat dhe u lirua me një gjobë, të cilën paralajmëroi se do ta kundërshtojë në gjykatë dhe nuk do ta paguajë.
Ankimet në Gjykatën Kushtetuese
Ndryshimet ligjore të miratuara përmes akteve normative janë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese nga organizata të shoqërisë civile dhe grupime studentore, të cilat pretendojnë se dispozitat e reja cenojnë të drejtat dhe liritë themelore.
Më 5 nëntor, grupimet “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, depozituan tre ankime kundër dy akteve normative dhe një vendimi të qeverisë, të miratuara më 28 tetor. Ata kërkuan pezullimin e menjëhershëm të dispozitave që, sipas tyre, kufizojnë të drejtën e tubimit.
Paditësit argumentojnë se ndryshimet cenojnë parimin e barazisë para ligjit dhe atë të proporcionalitetit, pasi nuk bëjnë dallim mes një pengese të përkohshme të qarkullimit dhe një bllokimi të qëllimshëm e të zgjatur të rrugës. Sipas tyre, nuk merren parasysh pasojat konkrete të veprimit dhe roli individual i secilit protestues.
Organizatat dhe studentët nuk kundërshtojnë të drejtën e shtetit për të garantuar rendin publik dhe qarkullimin rrugor, por vlerësojnë se gjobat e vendosura pa shqyrtuar veçmas sjelljen dhe pasojat e secilit rast mund të shërbejnë si mekanizëm për të dekurajuar pjesëmarrjen në protesta paqësore.
Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur ende për kërkesën për pezullim, Policia vijon vendosjen e gjobave.
BIRN raporton gjithashtu se Agron Jemini është shoqëruar dy herë në polici. Në njërin prej rasteve, ai pretendon se u ndalua me forcë pas përfundimit të protestës dhe se u godit nga efektivët.
Jemini tregon se u mbajt rreth tetë orë në komisariat për verifikim, pasi nuk kishte dokumentin e identifikimit me vete. Sipas tij, policët i morën edhe flamurin e madh kuqezi që mbante gjatë protestave.
Pavarësisht ndalimeve dhe gjobave, Jemini shprehet se do të vijojë të marrë pjesë në protesta.












