Masat për sezonin vjeshtë-dimër, gatishmëri për emergjencat e mundshme
Përgatitjet për sezonin vjeshtë-dimër 2026–2027 kanë vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse për mbrojtjen civile. Në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile u diskutuan masat që do të ndërmerren për të përballuar situatat e mundshme emergjente, të shkaktuara nga reshjet e dendura, ngricat apo kushtet e vështira atmosferike.
“Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet rrugëve që lidhin fshatrat me qendrat administrative, institucioneve shëndetësore, shkollave dhe zonave ku jetojnë familje të moshuara apo ato që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme. Gjatë periudhës së dimrit, një rëndësi të veçantë ka edhe organizimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Ndërmarrjet përkatëse duhet të kontrollojnë paraprakisht rrjetet, pajisjet dhe pikat më të ekspozuara ndaj temperaturave të ulëta”, u shpreh Albert Halilaj, Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes Civile.
Sekretari i Komisionit të Mbrojtjes Civile vlerësoi bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse gjatë sezonit veror, duke falënderuar ekipet për angazhimin dhe bashkëveprimin në përballimin e situatave të ndryshme.
“Është gjithashtu rasti t’ju falënderoj shumë për sezonin e verës, pasi ishte një sezon tepër i vështirë për të gjithë Republikën e Shqipërisë, për shkak të situatës së zjarreve. Pa bashkëpunimin tuaj, pa bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe pa forcat vullnetare dhe banorët e zonës, ne nuk do të mund t’ia dilnim’, tha Lavdrim Demnushi, Sekretar i Komisionit të Mbrojtjes Civile.
Koordinimi ndërinstitucional dhe marrja e masave në kohë synojnë të garantojnë përballimin sa më efektiv të kushteve të vështira atmosferike gjatë muajve të dimrit, duke minimizuar rreziqet për qytetarët dhe komunitetet e prekura.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



